Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një reduktim të ndjeshëm të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut.
Trump argumentoi se këto stërvitje janë të kushtueshme për Shtetet e Bashkuara dhe se i dërgojnë Phenianit një sinjal të papërshtatshëm dhe armiqësor.
“Duke pasur parasysh marrëdhënien time shumë të mirë me Kim Jong Un-in e Koresë së Veriut, nuk jam i kënaqur me faktin se Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord prej kohësh për të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut. Këto stërvitje jo vetëm që janë të kushtueshme, por gjithashtu përcjellin një sinjal krejtësisht të papërshtatshëm. Prandaj, dhe duke qenë se është tepër vonë për t’i anuluar ato, e kam udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, që t’i reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake”, tha Trump.
Megjithatë, Seuli ka bërë të qartë se stërvitja vjetore “Ulchi Freedom Shield” do të zhvillohet sipas planit. Në të pritet të marrin pjesë rreth 18 mijë trupa koreano-jugore, ndërsa në vend janë të dislokuar rreth 28 mijë e 500 ushtarakë amerikanë.
Ekspertët paralajmërojnë se reduktimi i stërvitjeve mund të dobësojë koordinimin ushtarak dhe parandalimin ndaj Koresë së Veriut, ndërsa përfitimet diplomatike mbeten të pasigurta.
Vendimi i Trump vjen pas testeve të fundit raketore të Phenianit dhe vetëm pak ditë pasi ai publikoi një fotografi të vjetër me Kim Jong Un, duke e cilësuar atë si një mik të mirë.
Ky vendim i Trump duket se vjen pasi Koreja e Jugut nuk iu bashkua SHBA-ve në luftën që zhvilloi në Iran, duke mbajtur një rol asnjanës dhe larg përfshirjes direkte në konflikt.