Të mbështetur nga Katari dhe Turqia, lidershipi i Hamamas po studion një ndryshim për të shmangur dorëzimin e kontrollit të Rripit të Gazës tek Autoriteti Palestinez.
Të ndryshosh gjithçka për të mos ndryshuar asgjë. Ka pak zona të botës, ku thënia e bërë e famshme nga Tomasi di Lampedusa në “Gattopardo” aplikohet me kaq saktësi sa në Lindjen e Mesme.
Kështu është në rajon dhe kështu rrezikon të jetë në muajt e ardhshëm në Gaza.
Planet për të ardhmen janë ende të gjitha në fazë diskutimi. Por dëshmitë që kemi mbledhur nga burime të ndryshme brenda Rripit konfirmojnë një pikë: pretendimi i izraelitëve, dhe në një farë mënyre i amerikanëve, për të parë Hamasin të shpërbëhet në këtë moment, nuk është realist.
Militantët kontrollojnë vendin, nga i cili IDF është tërhequr. Dhe po përgatiten të qëndrojnë aty, me ndihmën e dy aktorëve kryesorë, Katarit dhe Turqisë.
Plani i Dohas dhe Ankarasë, sipas asaj që del nga gazetat izraelite dhe është konfirmuar nga burime diplomatike për “Repubblica”, po shkon drejt një riemërtimi të Hamasit, më shumë se shpërbërjes së parashikuar nga plani i Trump.
Kjo nënkupton një ndryshim formal, që do të linte të paprekura strukturat e pushtetit të Hamasit, si pjesën e saj civile ashtu edhe ushtarake, dhe mbi të gjitha ideologjinë e saj.
“Së bashku me Katarin, Turqia punon pas skenave për të “rilancuar” Hamasin, duke krijuar një parti të re me një emër të ri dhe një logo të re, por që në substancë do të ishte e njëjta gjë. Erdogan dhe emiri i Katarit tashmë kanë lënë të kuptohet te udhëheqja se është e nevojshme të zëvendësohet etiketa, por jo ideologjia. Izraelitët e perceptojnë këtë si një rrezik, një Hamas i maskuar do të jetë i njëjti Hamas, por më i vështirë për t’u luftuar nëse vesh një maskë të re”, shkruante dje në “Ma’ariv”, editorialistja Anna Barsky.
Atë që mbetet nga udhëheqja e grupit, një numër i reduktuar individësh, i vlerësuar në disa dhjetëra, do u ofrohej strehim jashtë vendit; ndërsa një pjesë e militantëve do të riintegrohej në forcat e sigurisë, të thirrura për të mbikëqyrur territorin.
Një ambiguitet i konfirmuar edhe nga ajo që tha dje Khalil al Hayya, kreu i negociatorëve të Hamasit, në një intervistë, jo rastësisht, për televizionin nga Katari “Al Jazeera”. “E ardhmja e armëve të Hamasit është ende në diskutim me fraksionet e tjera të armatosura dhe me ndërmjetësit”.
Këto fjalë shpjegojnë armiqësinë, me të cilën Izraeli sheh rolin e Katarit dhe Turqisë. Nëse me Emiratet marrëdhëniet janë shumë të tensionuara prej vitesh, me Ankaranë tensioni është më shumë se kurrë, në një rritje të shpejtë.
Siç dëshmon “jo”-ja për hyrjen në Rripin e Gazës të ekipeve turke të specializuara në kërkimin e trupave nën rrënoja.
Turqit dhe banorët e Katarit nuk janë të vetmit që pretendojnë të vendosin për të ardhmen e Rripit dhe të Hamasit.
Izraeli do të duhet të llogarisë edhe dëshirat e Arabisë Saudite të Mohammed bin Salman, i pritur brenda pak ditësh në Uashington nga Trump.
Mohammed bin Salman është gati të vendosë miliarda dollarë për rindërtimin e Gazës, por me kusht që nga procesi të lindë një embrion i një shteti palestinez dhe që Autoriteti Kombëtar Palestinez të ketë një rol kryesor në Gaza, si dhe në Bregun Perëndimor.
Kushtet janë të papranueshme për Netanyahun.
Dhe pastaj? Procesi është ende i hapur, me të gjitha rreziqet e rastit. «Përpjekja për të krijuar një qeveri palestineze “modeste” në Gaza rrezikon të prodhojë si rezultat përfundimtar një regjim të Hamasit brenda një tjetër veshjeje civile», përfundon Barsky.
Izraeli e di mirë atë që po ndodh dhe nuk është e qartë sa mund të bëjë për ta penguar. /La Repubblica