Kryeministri i Suedisë ka deklaruar se ushtria e vendit do të angazhohet për t’u përballur me bandat kriminale, pasi vendi nordik po përjeton një valë të madhe krimesh me të paktën 11 të vrarë vetëm gjatë muajit shtator.
Dy persona u vranë nga të shtënat me armë në dy ngjarje të ndryshme në Stokholm, ditën e djeshme. dhe një grua rreth të 20-tave, që mendohet se ishte një qytetare e pafajshme, u vra kur një shpërtheu në një shtëpi në Uppsala në orët e para të së enjtes. Bomba shpërtheu në banesën e një mafiozi të cilin ajo e kishte fqinj.
“Kjo është një kohë e vështirë për Suedinë. Një grua 25-vjeçare shkoi në shtrat mbrëmë në një mbrëmje krejtësisht të zakonshme, por nuk u zgjua kurrë”, tha kryeministri Ulf Kristersson gjatë një fjalimi të rrallë televiziv drejtuar kombit.
“Ne do të godasim bandat, do t'i mposhtim bandat”, tha ai.
Kristersson formoi qeverinë e pakicës së qendrës së djathtë pas zgjedhjeve të vitit të kaluar me mbështetjen e demokratëve populistë dhe anti-emigrantë suedezë, duke i dhënë fund tetë viteve të qeverive të udhëhequra nga socialdemokratët në Suedi.
Të shumtë janë qytetarët që fajësojnë publikisht këto politika për rritjen e krimit në Suedi. Dikur, një prej shteteve më të sigurta në botë, Suedia është kthyer në një fushëbetejë vrasjesh, grabitje, shpërndarje droge, krime seksuale që kanë arritur nivel shqetësues.
Masat nuk kanë hyrë ende në fuqi, por Kristersson fajësoi ish qeveritë e kaluara për problemet.
“Është një politikë e papërgjegjshme imigracioni dhe një integrim i dështuar që na ka sjellë këtu”, tha Kristersson.
Suedia kishte politika liberale të imigracionit për shumë dekada dhe pranoi më shumë emigrantë për frymë se çdo vend tjetër evropian gjatë krizës së migracionit të vitit 2015. Këto politika u përmbysën nga ish-qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët, por janë shtrënguar nga qeveria e Kristersson. Rreth 20% e 10.5 milionë banorëve të Suedisë kanë lindur jashtë vendit.