Në qumështin “Aptamil” është identifikuar prania e bakterit Bacillus cereus, prandaj është kërkuar tërheqja e këtij produkti nga tregu.
Kështu ka njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Kosovë, e cila thekson se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz.
Si pasojë e kësaj, siç thuhet në komunikatë, në përputhje me procedurat e Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për gjurmueshmërinë dhe tërheqjen nga tregu të këtij produkti, i importuar nga Mbretëria e Holandës nga kompania “UNION” Sh.P.K., nga Vushtrria.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës njofton opinionin publik se, përmes Komisionit Evropian – Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me produktin ushqimor qumësht APTAMIL, në të cilin është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus, si dhe është kërkuar tërheqja e këtij produkti nga tregu”, thuhet në njoftim.
AUV thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt, i shëndetshëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore./Kallxo