Kosova dhe Serbia dakordësohen për zbatimin e plotë të deklaratës për personat e zhdukur

17 December 2024, 19:42Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kosova dhe Serbia dakordësohen për zbatimin e plotë të

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të dyja vendeve ne të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel të martën. Këtë e konfirmuan më 17 dhjetor shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Bislimi tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje që nga janari.

“Tani mund të ecim tutje që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet”, tha Bislimi.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. Se kush janë, mund të lexoni këtu.

Petkoviq tha se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur dhe se tani është hequr edhe pengesa e fundit sa i përket zbatimit të deklaratës për personat e zhdukur.

“Kemi deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, tha ai.

Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.

Bislimi tha se çështja e personave të zhdukur ishte vetëm njëra nga temat që u trajtuan të martën në Bruksel.

Ai tha se në takimin me Lajçakun diskutoi edhe marrëveshjen për energjinë, duke thënë se i nënvizoi “shkeljet” që i ka bërë Serbia marrëveshjes së telekomit dhe, “sidomos duke mos aktivizuar linjat e interkoneksionit”.

Petkoviq tha se është diskutuar edhe për menaxhimin e integruar të kufijve, për certifikatat veterinare, është kërkuar që të hapen edhe vendkalimet e tjera për mallrat serbe, dhe telekomunikacioni.

Ndërkohë, Bislimi shtoi se ajo për çfarë ai shprehu brengosje në veçanti se Serbia nuk dëshiron ta lejojë Qeverinë e Kosovës t’i ndihmojë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Ministria përkatëse në Serbi dëshiron ta detyrojë këshillin kombëtar shqiptar ta tërheqë thirrjen për ndihma humanitare për fermat në Serbi, përkundër faktit se ka transparencë të plotë në të”, tha Bislimi.


Video