Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e quajti presidentin e SHBA-së, Donald Trump, “kriminel” për mbështetjen e protestave në Iran dhe e fajësoi për mijëra viktima, duke pranuar se janë vrarë mijëra njerëz.
Në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror, Khamenei tha se protestat kishin shkaktuar disa mijëra të vdekur. Kjo është hera e parë që një udhëheqës iranian jep një indikacion të shkallës së viktimave, nga vala e protestave që filloi më 28 dhjetor dhe u shoqërua me një shtypje të ashpër dhe të përgjakshme.
“Në këtë kryengritje, presidenti i SHBA-së bëri deklarata personale, inkurajoi njerëzit që të vepronin dhe tha se ‘Ne ju mbështesim, ne ju mbështesim ushtarakisht’, u shpreh Khamenei, i cili ka fjalën përfundimtare për të gjitha çështjet e shtetit. Ai përsëriti akuza se SHBA-ja kërkon dominim mbi burimet ekonomike dhe politike të Iranit.
“Ne e konsiderojmë presidentin e SHBA-së një kriminel, për shkak të viktimave dhe dëmeve, për shkak të akuzave ndaj popullit iranian”, shtoi ai. Ai i përshkroi protestuesit si “ushtarë këmbësorie” të Shteteve të Bashkuara dhe tha se ata kishin shkatërruar xhami dhe qendra arsimore. “Duke i bërë dëm njerëzve, ata vranë disa mijëra prej tyre”, tha ai.
Komentet e Khameneit vijnë një ditë pasi Trump kishte marrë pasur ton më të zbutur, duke thënë se Irani anuloi varjen e mbi 800 personave dhe shtoi se respekton shumë faktin që ata anuluan ekzekutimet. Ai nuk sqaroi me kë kishte biseduar në Iran për të konfirmuar nëse vrasjet ishin anuluar. Deklaratat e Trump ishin një shenjë se mund të tërhiqej nga një sulm ushtarak. Ditët e fundit, Trump u kishte thënë protestuesve iranianë se “ndihma po vjen” dhe se administrata e tij do të vepronte në përputhje me rrethanat, nëse vrasjet e protestuesve do të vazhdonin ose nëse autoritetet iraniane do të ekzekutonin protestuesit e arrestuar.
Në fjalimin e tij, Khamenei tha se kryengritësit ishin të armatosur me armë të të importuara nga jashtë, pa përmendur ndonjë vend të veçantë. “Ne nuk planifikojmë, nuk çojmë vendin drejt luftës. Por nuk lirojmë as shkelësit e brendshëm; më keq se shkelësit e brendshëm, ka shkelës ndërkombëtarë. Nuk i lëmë as ata”, tha ai dhe u bëri thirrje zyrtarëve të ndjekin çështjet përkatëse.
Irani ka rikthyer një qetësi në vend, pas shtypjes së ashpër të protestave që filluan më 28 dhjetor, për shkak të ekonomisë së rënduar të vendit. Shtypja nga regjimi ka lënë të paktën 3,090 persona të vrarë, sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut me bazë në SHBA, duke tejkaluar çdo valë tjetër protestash ose trazirash në Iran në dekada dhe duke kujtuar kaosin e kaluar me revolucionin e vitit 1979.
Agjencia ka qenë e saktë gjatë viteve të demonstratave, duke u mbështetur në një rrjet aktivistësh brenda Iranit, që konfirmon të gjitha viktimat e raportuara. AP nuk ka arritur të konfirmojë në mënyrë të pavarur numrin e viktimave. Zyrtarët iranianë kanë akuzuar përsëri SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave në vend. Të premten, presidenti iranian Masoud Pezeshkian, në një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për ndërhyrje në trazira.
Nuk ka pasur shenja protestash për disa ditë në Teheran, ku aktiviteti tregtar dhe jeta e rrugës janë rikthyer në dukje normale, dhe mediat shtetërore iraniane nuk kanë raportuar për ndonjë trazirë të re.
Gjatë trazirave, autoritetet bllokuan të gjithë aksesin në internet më 8 janar. Të shtunën, dërgimi i mesazheve dhe shërbimet shumë të kufizuara të internetit filluan të funksionojnë sërish përkohësisht në disa pjesë të Iranit. Mesazhet me tekst filluan të funksionojnë gjatë natës, ndërsa përdoruesit mund të qasen në faqet lokale përmes një shërbimi të brendshëm të internetit. Disa raportuan gjithashtu akses të kufizuar në internetin ndërkombëtar përmes përdorimit të një VPN-je.