Kundërsulmi i Kinës për Arktikun: Marrëveshje me Kanadanë

17 Janar 2026, 17:43Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Xi Jinping priti me të gjitha nderimet Mark Carney-n

Kina ka kaluar në kundërsulm dhe projektohet në “oborrin e shtëpisë” së Shteteve të Bashkuara. Pas tronditjes nga kapja e Nicolás Maduro, që rrezikon të komprometojë shumë interesa të Pekinit në Venezuelë, Xi Jinping priti me të gjitha nderimet Mark Carney-n.

Kjo është vizita e parë në Kinë pas më shumë se tetë vitesh nga një kryeministër i Kanadasë, e shtyrë të afrohet me Pekinin nga agresiviteti tregtar dhe politik i Donald Trump-it.

“Pas Groenlandës, do t’i vijë radha Kanadasë”, shkruajnë mediat kineze, të cilat e shohin vendimin e Otavës për t’i dhënë fund viteve të gjata të ftohtësisë si një “model” për të gjitha vendet e tjera perëndimore të “bullizuara” nga Shtëpia e Bardhë.

Jo rastësisht, Xi shmangu krejtësisht marrëdhëniet e trazuara të së kaluarës së afërt: arrestimi në Vancouver i Meng Wanzhou-t, vajza e pronarit të Huawei, kishte nisur një seri hakmarrjesh nga Pekini.

Në vitin 2024, Justin Trudeau kishte vendosur tarifa shumë të larta mbi një gamë të gjerë produktesh kineze.

“Të krijojmë së bashku një partneritet strategjik”, i tha Xi Carney-t, një propozim edhe më domethënës duke qenë se i drejtohet fqinjit kryesor të SHBA-ve. Kryeministri kanadez u përgjigj duke shpresuar për një “epokë të re” në marrëdhëniet me Pekinin, shkruan La Stampa.

Vizita dukej se ishte thjesht për të rihapur dialogun, por prodhoi menjëherë rezultate konkrete. Kanadaja do të importojë rreth 50 mijë makina elektrike kineze, duke ulur tarifat 100% të vendosura nga Trudeau në nivelin preferencial prej 6.1%.

Në këmbim, Pekini do të ulë tarifat mbi canola-n kanadeze (një lloj vaji bimor) në 15% dhe do të eliminojë ato mbi bizelet, karavidhet dhe gaforret. Kina do të lejojë gjithashtu hyrjen pa vizë për qytetarët kanadezë. Jo vetëm kaq. U nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi për energjinë, që hap rrugën për një rritje të ndjeshme të shkëmbimeve të naftës dhe gazit.

Për Kanadanë, kjo nënkupton tërheqje kapitalesh dhe reduktim të varësisë pothuajse ekskluzive nga tregu amerikan. Për Kinën, është gjithashtu një sinjal politik. Duke marrë kontrollin e naftës venezueliane, ku Pekini është importuesi kryesor, Trump synonte të fitonte një armë të re negociuese në përplasjen e tij me Xi-në. Duke afruar Kanadanë, Kina duket se vë në pikëpyetje edhe efektivitetin e Doktrinës së re Monroe.

Diskutimi shtrihet edhe më në veri. “E drejta dhe liria e të gjitha vendeve për të zhvilluar aktivitete në Arktik duhet të respektohen plotësisht”, përsërit prej javësh qeveria kineze në përgjigje të synimeve të Trump mbi Groenlandën.

Pekini synon burimet natyrore: jo vetëm rezervat e gazit, por edhe mineralet e rralla si uraniumi, zinku, nikeli, grafiti dhe palladiumi, të gjitha të dobishme për aplikime në zhvillimin teknologjik, kapitull themelor i përplasjes mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Prania mes Groenlandës (ku ka shfaqur interes për të financuar infrastrukturë si porte dhe aeroporte) dhe arkipelagëve si Svalbard në Norvegji është e konsoliduar. Midis viteve 2012 dhe 2021, Kina ka investuar 89.4 miliardë dollarë në rajonin arktik. Ambiciet janë të forta, duke qenë se me shkrirjen e akullnajave zhvillimi i Rrugës së Mëndafshit Polar është ndër objektivat strategjikë të Xi-së.


Video