Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave doganore ndaj vendeve që nuk mbështesin planin e tij për kontrollin e Groenlandës, duke e lidhur këtë me çështjet e sigurisë kombëtare të SHBA-ve.
Duke folur gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë për promovimin e investimeve në shëndetësinë rurale, Trump bëri krahasimin me tarifat që kishte vendosur më parë ndaj importeve farmaceutike nga Bashkimi Europian, si pjesë e përpjekjeve për uljen e çmimeve të ilaçeve në SHBA.
“Unë mund ta bëj këtë edhe për Groenlandën. Mund të vendos tarifa për vendet që nuk shkojnë me ne në çështjen e Groenlandës, sepse na nevojitet Groenlanda për sigurinë kombëtare”, deklaroi presidenti.
Sakaq, një grup dypartiak anëtarësh të Kongresit Amerikan po viziton Danimarkën, në atë që shihet si një shfaqje mbështetjeje përballë presionit në rritje nga Trump që SHBA të aneksojnë Groenlandën – një rajon gjysmë-autonom i Danimarkës në Arktik.
Delegacioni prej 11 anëtarësh do të takohet me deputetë, si dhe me kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe homologun e saj të Greonlandës Jens-Frederik Nielsen.
Vizita vjen disa ditë pasi bisedimet e nivelit të lartë në Uashington dështuan ta bindnin Trumpin nga planet e tij.
Trump këmbëngul se Groenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-ve - dhe se Danimarka nuk mund ta mbrojë atë nga sulmet e mundshme ruse ose kineze. Si Danimarka ashtu edhe Groenlanda thonë se janë kundër një pushtimi nga SHBA-të.
Groenlanda është pak e populluar, por e pasur me burime dhe vendndodhja e saj midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë të pozicionuar mirë për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast të sulmeve me raketa dhe për monitorimin e anijeve në rajon.
SHBA-të tashmë kanë më shumë se 100 personel ushtarak të stacionuar përgjithmonë në bazën e saj Pituffik - një strukturë që është operuar nga SHBA-të që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA-të kanë fuqinë të sjellin sa më shumë trupa që duan në Groenlandë.
Por Trump ka thënë se SHBA-të duhet ta "zotërojnë" atë për ta mbrojtur siç duhet.
Danimarka ka paralajmëruar se veprimi ushtarak do të shënonte fundin e NATO-s.
NATO punon mbi parimin se aleatët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast sulmi nga jashtë - ajo kurrë nuk është përballur me një opsion ku një anëtar do të përdorte forcë kundër një tjetri.
Aleatët europianë janë bashkuar në mbështetje të Danimarkës.