Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologia e saj japoneze, Sanae Takaichi, kanë shfaqur një afërsi të pazakontë gjatë takimit të tyre në Tokio, duke u pozicionuar si dy gra konservatore në majën e pushtetit global, në shoqëri tradicionalisht patriarkale.
Sipas New York Times, takimi i tyre i parë i zgjeruar pas zgjedhjes së Takaichi-t në tetor ka shkuar përtej protokollit diplomatik, duke reflektuar një kimi personale që po kthehet edhe në kapital politik.
Dy kryeministret iu drejtuan njëra-tjetrës me emër – “Giorgia” dhe “Sanae” – buzëqeshën para kamerave dhe folën hapur për përvojën e përbashkët si gra që kanë thyer “tavanin e qelqtë”.
Ato janë aktualisht të vetmet gra në krye të vendeve të G7, dhe njëkohësisht drejtojnë forca politike me profil të djathtë.
Takimi u fokusua zyrtarisht në bashkëpunimin për mbrojtjen, tregtinë dhe kulturën, por simbolika ishte po aq e fortë sa agjenda.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Takaichi ngriti një dolli për ditëlindjen e 49-të të Melonit dhe i dhuroi asaj një shportë me suvenire, përfshirë edhe objekte “Hello Kitty”.
Meloni, nga ana e saj, publikoi një selfie në stil anime në rrjetin X, duke folur për një ndjenjë “miqësie dhe afërsie”.
Sipas New York Times, dy lideret u lidhën fillimisht në nëntor, gjatë një takimi të G20-ës, ku një video e përqafimit spontan të Takaichit ndaj Melonit u bë virale në Japoni.
Të dyja vijnë nga prejardhje modeste dhe pa trashëgimi politike familjare – një element që ka ushqyer narrativën e tyre si lidere “self-made”.
Megjithatë, pavarësisht simbolikës së fuqishme gjinore, as Meloni dhe as Takaichi nuk promovojnë politika që konsiderohen gjerësisht si feministe.
Në Japoni, vetëm dy nga 18 anëtarë të kabinetit janë gra, ndërsa në Itali diskursi mbi familjen mbetet i lidhur me modele tradicionale. Siç thekson New York Times, të dyja udhëheqëset vijnë nga kultura politike konservatore dhe nuk e kanë prioritet barazinë gjinore si agjendë politike.
Italia dhe Japonia përballen me sfida të ngjashme: plakjen e popullsisë, rënien demografike dhe tensionet rreth emigracionit.
Ato po ashtu po rishikojnë marrëdhëniet e tyre të sigurisë, në një kontekst të politikës së paparashikueshme amerikane nën Donald Trump.
Në këtë kuadër, Roma dhe Tokio kanë intensifikuar bashkëpunimin ushtarak, përfshirë projektin e përbashkët për zhvillimin e një avioni luftarak me Britaninë.
Gjatë vizitës, dy kryeministret shpallën synimin për një “partneritet strategjik special”, që do të përfshijë mbrojtjen, mineralet kritike dhe eksplorimin hapësinor. Takaichi i prezantoi Melonit edhe dy gratë e vetme në kabinetin e saj, duke nënvizuar peshën simbolike të momentit.
“Me Sanaen ndajmë faktin se jemi dy gratë e para që drejtojmë popujt tanë”, tha Meloni, sipas New York Times. “Ky është një nder i madh, por mbi të gjitha një përgjegjësi.”