Rreth 80 fluturime me çarter kanë zbritur në aeroportin e ri ndërkombëtar të qytetit të shenjtë të Indisë Ayodhya për hapjen e pjesshme të një tempulli madhështor për një nga hyjnitë më të nderuara të hinduizmit, Lord Ram.
Aeroporti i Ayodhya me vështirësi mund të strehojë fluksin e avionëve privatë. “Aeroplanët do të nisen pasi të lënë mysafirët”, tha menaxheri i aeroportit Saurabh Singh.
Tempulli u ndërtua mbi një xhami të rrafshuar dhe shumica e liderëve të opozitës politike e kanë bojkotuar hapjen e tempullit, duke thënë se nuk i përshtatet një Indie laike.
Megjithatë, të pranishmit janë disa nga njerëzit më me ndikim të Indisë: Kryeministri Narendra Modi, industrialistët Mukesh Ambani dhe Gautam Adani, dhe superylli i Bollyëood-it, Amitabh Bachchan.
Tempulli do të jetë vendbanimi i shenjtë i një prej perëndive më të njohura të panteonit hindu, Ramit, i cili hinduistët besojnë se ka lindur në Ayodhya.
Miliona hinduistë e adhurojnë Ramin me një besim të fortë se këndimi i emrit të tij në kohë fatkeqësie do të sjellë paqe dhe prosperitet, dhe shumica e atyre që praktikojnë hinduizëm mbajnë idhujt e Ramit në shtëpitë e tyre. Festivalet kryesore hindu si Dussehra dhe Diëali janë të lidhura me tregimet mitologjike të Ramit që lartëson virtytet e së vërtetës, sakrificës dhe qeverisjes etike.
Ayodhya ka qenë në qendër të politikës së trazuar të Indisë dhe kërkimit të shumicës së hinduistëve për të rikthyer të kaluarën fetare të vendit. E kaluara e saj e larmishme dhe shumëkulturore u pushtua nga nacionalizmi i ashpër hindu pasi turmat shkatërruan xhaminë Babri të shekullit të 16-të në vitin 1992.
Hindusët fituan një betejë të zgjatur ligjore në 2019, duke i lejuar ata të ndërtonin tempullin. Hindusët përbëjnë rreth 80% të popullsisë së Indisë, por vendi është gjithashtu shtëpia e rreth 200 milionë myslimanëve, të cilët janë sulmuar shpesh nga nacionalistët hindu.