Kryeqyteti federal i SHBA-së po përgatitet për inaugurimin e Donald Trump, me autoritetet që kanë marrë masa të paprecedentë sigurie, pas një fushate zgjedhore të karakterizuar nga dhuna. Inaugurimi i Trump të hënën do të jetë “ngjarja e tretë më e rëndësishme e sigurisë kombëtare” në dy javë, pas ratifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale nga Kongresi dhe funeralit të ish-presidentit amerikan Jimmy Carter.
Uashingtoni është mësuar me këto lloj ngjarjesh, por rrallëherë ndodhin kaq shumë në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Zyrtarët e qytetit po përgatiten të mirëpresin më pak vizitorë sesa ata që morën pjesë në inaugurimin e parë të Trump tetë vjet më parë, kur zyrtarët parashikuan se deri në një milion njerëz do të dynden në Uashington.
Tashmë janë ngritur barrikada në rrugët përreth Shtëpisë së Bardhë, Kapitolit dhe një pjesë të rrugës që do të ndjekë presidenti i ri amerikan. Në perimetrin e sigurisë janë vendosur një numër rekord prej 48 kilometrash barriera sigurie me hekura.
Përveç kësaj, rreth 25,000 policë dhe personel ushtarak do të vendosen në Uashington, sipas Matt McCool, një agjent i Shërbimit Sekret, i cili është përgjegjës për mbrojtjen e figurave të rëndësishme politike dhe natyrisht të presidentëve.
“Ne kemi një plan sigurie më solide se në vitet e mëparshme”, tha ai këtë javë, duke shtuar se “janë marrë një sërë masash sigurie, disa prej të cilave janë të dukshme dhe disa jo”.
Përveç kësaj, të ftuarit në betim do t’i nënshtrohen kontrolleve të imta, snajperët do të kenë zënë pozicione në çatitë e ndërtesave fqinje, dronët do të mbikëqyrin eventin nga lart, ndërsa në terren do të ketë ekipe sigurie. “Ajo që ka ndryshuar është se ne jemi në një mjedis që është më kërcënues,” tha Makoul.