Blaise Mettreveli bëri histori në fillim të këtij muaji, pasi u emërua si gruaja e parë në krye të Shërbimit Sekret të Inteligjencës Britanike (MI6).
Por, sipas arkivave gjermane të cituara nga Daily Mail, gjyshi i saj, Constantine Dobrowolski, ka qenë një spiun nazist.
Dobrowolski ishte një ukrainas që thuhet se dezertoi nga Ushtria e Kuqe për t’u bërë informator i besuar i nazistëve në rajonin e Çernihivit.
Sipas raportimeve, Mettreveli nuk e ka takuar kurrë gjyshin e saj nga babai, pasi ai kishte jetuar në Ukrainën e pushtuar nga nazistët.
Dokumentet e ruajtura në Freiburg të Gjermanisë përshkruajnë se si Dobrowolski u identifikua si “Agjenti 30” nga komandantët e tij nazistë.
I lindur në vitin 1906 nga një baba gjermano-polak dhe një nënë ukrainase, ai besohet se urrente Bashkimin Sovjetik. Ai iu bashkua nazistëve në vitin 1941 dhe paguhej me një shumë që sot përkthehet rreth 250 paund në muaj për shërbimet e tij si spiun.
Po ashtu, sipas të njëjtit burim, ekzistojnë dëshmi për përfshirjen e tij në plaçkitjen e trupave të viktimave të Holokaustit dhe në tallje lidhur me sulmet seksuale ndaj të burgosurave femra.
Sovjetikët kishin vendosur një shpërblim për kapjen e Dobrowolskit, që sot do të vlente rreth 200,000 paund, duke e shpallur atë “armikun më të madh të popullit ukrainas”.
Ndërkohë, Mettreveli, e cila iu bashkua Shërbimit Sekret Britanik në vitin 1999 dhe pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në operacione në Lindjen e Mesme dhe Evropë, thuhet se nuk ka pasur kurrë kontakt me gjyshin e saj dhe nuk e ka njohur atë.