Pjesë e “flotës në hije” - Fundoset një cisternë ruse në Mesdhe, Moska fajëson dronët ukrainas

5 Mars 2026, 17:57Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një cisternë ruse që transportonte gaz natyror të lëngshëm (LNG) është fundosur në Detin Mesdhe pas shpërthimeve dhe një zjarri të madh në bord. Rusia akuzon Ukrainën se sulmi u krye me dronë detarë pa pilot.

Anija Arctic Metagaz, që mbante rreth 62 mijë tonë gaz, u godit nga shpërthimet dhe më pas u përfshi nga flakët përpara se të fundosej rreth 130 milje detare në veri të portit Sirte në Libya, mes Libisë dhe Maltës.

Sipas Ministrisë ruse të Transportit, në bord ndodheshin 30 shtetas rusë, të cilët u shpëtuan nga forcat e armatosura të Maltës dhe u gjetën të gjithë të sigurt në një varkë shpëtimi.

Akuzat e Rusisë

Rusia pretendon se cisterna u sulmua nga dronë detarë ukrainas të lëshuar nga brigjet libiane. Presidenti rus Vladimir Putin e quajti incidentin një “akt terrorist”, ndërsa Moska e përshkroi si terrorizëm ndërkombëtar dhe pirateri detare.

Megjithatë, autoritetet ruse nuk kanë paraqitur prova për këto pretendime.

Reagimi i Ukrainës

Shërbimi i sigurisë së Ukrainës, Security Service of Ukraine (SBU), nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi akuzat. Edhe autoritetet portuale libiane thanë se shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë.

Pamje të paverifikuara që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë anijen në flakë gjatë natës, ndërsa një bloger ukrainas pretendoi se cisterna kishte pësuar dëmtime të mëdha në dhomën e motorit.

Pjesë e “flotës në hije”

Cisterna ishte nisur nga porti rus i Murmanskut dhe besohet se ishte rrugës drejt Port Said në Egjipt. Ajo konsiderohet pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, e përdorur për të transportuar naftë dhe gaz për të shmangur sanksionet perëndimore pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Që nga fillimi i luftës, Ukraina ka kryer disa sulme me dronë detarë ndaj anijeve ruse, por shumica e tyre kanë ndodhur në Detin e Zi, jo në Mesdhe.


Video