
Turqia nuk e ka pritur mirë kërkesën e Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis drejtuar SHBA për të mos i dorëzuar Ankarasë avionët luftarakë F-16.
“Për mua, Mitsotakis nuk ekziston më!”, deklaroi Presidenti turk, Recep Taip Erdogan në përfundim të mbledhjes së kabinetit qeveritar.
Erdogan tha se SHBA nuk do të vendosin të ndikuara nga kërkesa e Mitsotakis, që e akuzoi si njeri që nuk mban fjalën, pasi sipas Presidentit turk, Kryeministri grek i ka premtuar që nuk do të pengonte dërgesën e avionëve luftarakë dhe as do të lejonte ndërhyrjen e vendeve të tjera në bisedimet mes tyre për përplaset në Egje.
Turqia ishte pjesë e programit të prodhimit të avionëve luftarakë fantazmë F-35. Por, pas blerjes së sistemit antiraketë rus S-400, SHBA pezulloi Ankaranë dhe kushtëzoi rikthimin e saj në këtë marrëveshje me asgjësimin e sistemit mbrojtës rus.
Erdogan ka refuzuar, ndërsa ka kërcënuar se nëse nuk merr avionët siç u premtua, ku Turqia ka paguar 1 mld dollarë, atëherë do të shohë rrugë alternative, duke nënkuptuar se mund të blente në Rusi edhe avionë.
Si zgjidhje u ra dakord që në vend të F-35, Turqisë t’i dërgohet një set avionësh luftarakë F-16.