Deputeti finlandez Eemeli Peltonen, vetëm 30 vjeç, ka ndërruar jetë të martën në ambientet e Parlamentit.
Lajmi u konfirmua nga zyra e komunikimit të Parlamentit, e cila njoftoi se Peltonen, ka ndërruar jetë dhe se komuniteti parlamentar ndan dhimbjen me familjen e tij.
Sipas tabloidit Iltalehti, bëhet fjalë për vetëvrasje të kryer brenda godinës së Parlamentit.
Drejtori i Sigurisë së legjislativit, Aaro Toivonen, i tha Yle se nuk e kundërshtonte këtë informacion.
Policia e Helsinkit njoftoi se thirrja e urgjencës është marrë në orën 11:06 paradite. Hetimet po kryhen si “verifikim i shkaqeve të vdekjes”, ndërsa autoritetet theksuan se nuk ka dyshime për ngjarje kriminale.
Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, gjatë një konference të shkurtër për shtyp në Kajaani, ku grupi parlamentar i Partisë së Koalicionit Kombëtar po zhvillon takimin e tij vjetor veror, mbajti një moment heshtjeje në respekt.
“Në të njëjtën kohë, u dërgojmë forcë familjes, të dashurve dhe kolegëve. Kjo na prek thellësisht të gjithëve”, shtoi ai.
Orpo njoftoi gjithashtu se NCP do të pezullojë diskutimet politike për ditën në Kajaani për shkak të incidentit.
Parlamenti është aktualisht në pushimet verore. Sesioni i vjeshtës është planifikuar të fillojë më 2 shtator.