Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do të preferonte të mos merrte pjesë në një takim të mundshëm midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky-t.
Ai u tha gazetarëve se marrëdhëniet midis Putinit dhe Zelenskyt janë larg të qenit ideale, por se Uashingtoni synon të verifikojë nëse ata mund të bashkëpunojnë.
"Do ta shohim nëse do të ketë takim. Planifikojmë të kontrollojmë nëse Putini dhe Zelensky mund të bashkëpunojnë. E dini, është si të bashkohet vaji dhe uthulla: marrëdhëniet e tyre nuk janë shumë të mira, për arsye të njohura mirë. Por do ta shohim. Do të shohim nëse është e nevojshme që unë të jem atje. Do të preferoja të mos merrja pjesë. Do të doja që ata të takoheshin dhe të përpiqeshin të arrinin një marrëveshje, por ndërkohë, luftimet vazhdojnë", tha Trump.
Trump ka deklaruar se brenda dy javësh pritet të njihet me qëndrimin e Rusisë dhe Ukrainës lidhur me mundësinë e përfundimit të luftës. Ai paralajmëroi se në varësi të zhvillimeve, do të marrë një vendim të rëndësishëm, që mund të përfshijë sanksione të reja ndaj Moskës.
“Mendoj se brenda dy javësh do te mësoj qëndrimin e Rusisë dhe, sinqerisht, edhe të Ukrainës. Në atë moment do të marr një vendim shumë të rëndësishëm, që mund të përfshijë sanksione të forta, tarifa, ose të dyja”, tha Trump.
I pyetur nga gazetarët për pasojat e këtij vendimi, Trump nuk përjashtoi asnjë skenar, duke lënë të hapur edhe mundësinë që SHBA-të të mos ndërhyjnë më tej.
“Do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Mund të jenë sanksione masive, tarifa masive, të dyja bashkë, ose mund të mos bëjmë asgjë dhe t’u themi: Kjo është lufta juaj”, tha ai.
Gjatë një deklarate nga Zyra Ovale, presidenti shprehu gjithashtu zhgënjimin e tij për sulmet e fundit ruse, që kanë dëmtuar një fabrikë amerikane që operonte në Ukrainë.
“Nuk jam aspak i lumtur për këtë dhe nuk jam i lumtur për asgjë që ka të bëjë me atë luftë. Brenda dy javësh do të zbulojmë se në cilin drejtim do të shkojë situata, dhe shpresoj të jem shumë më i kënaqur atëherë”, tha ai.
Një takim mes dy udhëheqësve të vendeve në konflikt pritet të ndodhë, po ende nuk një datë konkrete dhe as konfirmim nga ana e Moskës. Kievi ka shprehur gatishmërinë për të bërë hapa para për përfundimin e luftës, por pa u cenuar siguria territoriale e Ukrainës.