Ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, deklaroi në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër situatën në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.
Qëllimi i Washingtonit është i qartë, siç u kuptua dhe nga mesazhi i ambasadorit: Të mos lejohet asnjë zhvillim që mund të çojë në konflikt rajonal.
“Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal. Shtetet e Bashkuara duan stabilitet në Ballkanin Perëndimor e kjo është e rëndësishme edhe për partnerët europianë brenda NATO-s, të cilët e kanë detyrim të veprojnë së bashku në situata krize”, tha Matthew G. Whitaker-ambasador i SHBA-së në NATO.
Serbia ka qenë prej muajsh e përfshirë nga protestat antiqeveritare, të cilat shpesh janë shndërruar në episode dhune, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç, pa asnjë provë, akuzon agjitatorë të huaj për përpjekje për të nxitur revolucion.
Në Republikën Sërpska, sakaq, Millorad Dodik sfidon vendimin e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës për t’ia hequr mandatin presidencial pas një dënimi dhe vazhdimisht kërcënon me ndarjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës.
I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte, nëse kriza politike do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi, Whitaker kujtoi se aleanca vepron me unanimitet, edhe pse e sheh të largët një skenar të tillë.
“Nëse NATO-ja do të përfshihet… Rregulli numër 1 në politikë është të mos u përgjigjesh hipotezave. Mendoj se duhet të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, deklaroi ambasadori i SHBA-së në NATO.
Whitaker shtoi se “NATO-ja është më e fortë se kurrë” dhe se “kjo tha ai me qesëndi, duhet të jetë shumë shqetësuese për kundërshtarët tanë”.