Në një mbledhje në fillim të muajit mars të vitit 2022, mes vendimeve të marra nga Qeveria ishte edhe ai për dhënien për përdorim për 30 vite të një prone në një zonë të gjerë të plazhit të Gjilekës për një kompani amerikane.
Vendimi pasonte një akt të mëhershëm të Komisionit të Investimeve Strategjike, që e kishte shpallur këtë investim strategjik.
Projekti ishte një hotel, që sipas përcaktimeve të ligjit për investitorët strategjikë duhet të jetë me pesë yje. Për zbatimin e tij ishte caktuar kompania “AGTCC Hotel Management”, që në regjistrin kombëtar të bizneseve rezultonte në pronësi të Tawni Lin Grzych-Sutton, një shtetase 30-vjeçare nga Masaçusets i SHBA e pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri.
Mediat zbuluan në atë kohë se kompanisë amerikane i mungojnë të dhëna e dokumentacione të tjera që të provojnë se kompania e 30-vjeçares dhe vetë 30-vjeçarja ka përvojën dhe burimet financiare të nevojshme për të përfituar statusin e investitorit strategjik.
Përballë këtyre publikimeve, Artan Gaçi pranoi se pas investimit strategjik qëndronte ai dhe kompania e tij, A.G.TTC, ndërsa kompania amerikane çuditërisht me emrin ‘AGTCC Hotel Management’ ishte përzgjedhur prej tij për të zbatuar projektin.
Gaçi tha se ai do të kryente investimin, ndërsa kompania amerikane do ta zbatonte dhe menaxhonte atë. Kjo, sipas tij, shmangte ligjin e konfliktit të interesit.
Por, dyshimet për konflikt interesi nuk ishin të vetmet. Siç tregohen në dosjen e SPAK, një pjesë e pronave të siguruara nga Artan Gaçi për të zbatuar projektin e tij të investitorit strategjik janë përfituar me falsifikime në të paktën dy raste dhe për të cilat është arrestuar Jorgo Goro.
Konkretisht, sipas SPAK, në rastin e parë Jorgo Goro ka falsifikuar dokumentet e më pas ka regjistruar 5512 m2 tokë shteti në favor të privatit.
Në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasmo Bashin, asokohe drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në bashkinë e Himarës, pa bërë asnjë verifikim në bazë të ligjit, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.
Sipas SPAK, ky tjetërsim është përfituar në mënyrë të padrejtë nga Stavri Mëhilli. Aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar nga GJKKO.
Në rastin e dytë, SPAK thotë se Jorgo Goro tokën bujqësore prej 5080m ia kaloi shtetit, ku më pas u dha leje për ndërtimin e kompleksit turistik të Artan Gaçit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro, po në bashkëpunim me Jerasimo Bashi, drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në bashkinë Himarë, ka zhvendosur në mënyrë faktike në terren një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Dritëhijet e një ligji të kontestuar
Ligji për investimet strategjike është miratuar në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm për të ofruar mbrojtje të barabartë si për investitorët vendas, ashtu edhe për ata të huaj. Ideja ishte që ligji të qëndrojë në fuqi deri kur të përfundojë ligji i ri për investimet…që pas gati 10 vitesh nuk ka përfunduar ende.
Statusi i investitorit strategjik jepet në gjashtë sektorë; energjitik dhe minerar, transport, komunikime elektronike dhe mbetje urbane, turizëm, bujqësi, zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe zonat me përparësi zhvillimi, kryesisht ato bregdetare.
Deri më tani, më shumë se gjysma e investitorëve strategjikë e kanë përfituar këtë status në sektorin e turizmit, kryesisht në projekte të kontestuara për ndërtimin e komplekseve dhe resorteve turistike në bregdet.
Këtyre investimeve u është ofruar asistencë në përshpejtimin e procedurave, pajisjen me lejet dhe licencat e nevojshme për realizimin e investimit, vënien në dispozicion të pronave shtetërore të bregut të detit, apo sipërfaqeve pyjore pranë resortit, ndërtimin e infrastrukturës ndihmëse si: rrugë, rrjet elektrik, ujësjellës, kanalizime dhe asistencë për konsolidimin e tokës, ku përfshihet regjistrimi i pronave në ZVRPP apo marrje në përdorim për periudhë afatgjatë me tarifë simbolike të pronave shtetërorë sipas kërkesës së investitorit.
Në lidhje me këtë ligj ka pasur kritika se po shfrytëzohet nga njerëz pranë qeverisë për të përvetësuar prona shtetërore dhe private në zonat më të lakmuara bregdetare, ndërkohë që vërejtje ka pasur edhe në një parashikim të tij, ku shteti mund t’u marrë pronat private qytetarëve për t’i vënë në shërbim të investitorit strategjik.
Ligji thotë në nenin 28 të tij se “për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, që kanë përfituar statusin e “Investim strategjik, procedurë e veçantë’’ lejohet shpronësimi i pasurive të paluajtshme pronë private, nëse investitori nuk ka mundur ta zgjidhë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me marrëveshje me pronarin, pasi janë kryer më parë përpjekjet nga investitori.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.