SPAK ka marrë nën vëzhgim dhe ka ndjekur lëvizjet e Jorgo Goros që prej tetorit të vitit të kaluar, kur ai u mor nën hetim pas kallëzimit të Fredi Belerit, që e akuzon atë për shpërdorim detyre.
Gjatë kësaj kohe, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës ka qenë nën mbikëqyrjen e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që kanë ndjekur lëvizjet e tij për të parandaluar mundësinë që Goro të ndërhynte te provat, apo dëshmitarët potencialë të SPAK për hetimin e nisur.
Goro akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste, duke pranuar dhe depozituar në institucionet qendrore shtetërore dokumentacione të falsifikuara në lidhje me dy prona që ndodhen në zonën e Dhërmiut.
Pikërisht në këtë zonë ai u prangos mëngjesin e së shtunës në dalje të një bar-kafeje, në pronësi të kryeplakut të fshatit të Dhërmiut.
Burimet të Voxnews tregojnë se ndërhyrja e SPAK është bërë nën dyshimet se Jorgo Goro po bënte përpjekje për të siguruar dëshmi të rreme dhe ndërhyrje të tjera në institucionet vendore e qendrore për të prishur provat.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.