
Për hir të normalitetit në Kuvend, opozita e Rithemelimit hoqi dorë nga kërkesa fillestare për hetimin e katër koncesioneve më të mëdha të dhëna në fushën e shëndetësisë dhe pranoi që komisioni që do të ngrihet apostafat për këtë punë të hetojë dy prej tyre.
Dy koncesionet e zgjedhura për hetim nga komisioni janë ai i check up-it, me kosto mbi 8 milionë euro në vit dhe koncesioni i sterilizimit me vlerë rreth 17 milionë euro, po në vit.
Rithemelimi hoqi dorë nga kërkesa fillestare e vjeshtës së kaluar për të hetuar koncesionin e hemodializës, me kosto gati 10 milionë euro në vit dhe atë për shërbimet laboratorike, me mbi 18 milionë euro po në vit.
Burime të VoxNews.al pohojnë se gjatë procesit të negociatave me socialistët, këta të fundit nuk kushtëzuan hetimin e koncesioneve në shëndetësi, që do të thotë se heqja dorë nga hetimi i koncesionit të laboratorëve dhe atij të hemodializës ka qenë një zgjedhje vullnetare e opozitës së Rithemelimit.
Përzgjedhja se cilët koncesione do të hetohen dhe cilët jo në pamje të parë duket rastësore, por në thelb nuk është e tillë.
Pas të dy koncesioneve qëndron si aksioner i njëjti emër; ai i Klodian Allajbeut, akuzuar si oligarku i shëndetësisë që ka vendosur monopolin e shërbimeve në këtë sektor.
Koncesioni i Hemodializës
Koncesioni i shumëpërfolur i shërbimit të hemodializës u dha nga Ministria e Shëndetësisë te një kompani të panjohur në tetor 2015-të.
Diavita Sh.P.K. Që në vitin e parë të punës, kompania raportoi në QKB një fitim neto prej gati 400 mijë eurosh dhe e gjitha pa investuar asnjë qindarkë.
Diavita është kompania e krijuar në bashkëpronësi të kompanisë American Hospital të Klod Allajbeut në masën 15 për qind dhe kompanisë Evita sh.p.k në masën 85 për qind. Për të humbur gjurmët, pas marrjes së koncesionit, kompania Evita shet pjesën e vet të aksioneve te një kompani guackë e regjistruar në Holandë.
Aksionet u shitën për vetëm 160 mijë euro, pra as sa gjysma e fitimit neto të siguruar nga koncesioni i hemodializës në vitin e parë të punës.
Aksionet u blenë nga kompania Arimo B.V., pas të cilës, sipas regjistrit përfitues qëndron një shtetase anonime bullgare e vitlindjes 1988 me emrin Zoya Georgieva Gyurova.
Në të vërtetë, transaksioni dyshohet se është bërë nga Klodjan Allajbeu për të humbur gjurmët dhe mos u zbuluar fakti se pas të dyja kompanive që themeluan Diavitën qëndronte i njëjti pronar dhe se bashkimi i operatorëve ishte fiktiv.
Koncesioni i laboratorëve
Shërbimi i laboratorëve mjekësorë është kontrata e katërt e partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë dhe parashikohet t'u kushtojë shqiptarëve rreth 13 miliardë lekë ose 114 milionë dollarë në 10 vitet e operimit.
Kontrata u fitua nga konsorciumi “Labopharma” me seli në Tiranë, “Exalab” me seli në Francë dhe kompania guackë “AB Laboratory Solution” B.V e regjistruar në Hagë të Holandës dhe po zbatohet prej vitit 2020 nga kompania koncesionare “Laboratory Netëorks”.
Për këtë procedurë, KLSH paditi në SPAK shtatë anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkon gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa për rishikimin dhe zgjidhjen e kontratës.
Auditi i KLSH-së sjell në vëmendje faktin se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë injoruan shqetësimin e Korporatës Ndërkombëtare të Investimeve, IFC, për integritetin e kompanisë së regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions.
Sipas dokumenteve të paraqitura nga konsorciumi, kjo kompani zotërohej nga “Pegasus”, një tjetër kompani shqiptare në pronësi të biznesmenit Janis Karathano. KLSH vlerëson se AB Laboratory Solutions B.V u përdor si koracë për të mbuluar përqindjen reale të ndarjes së aksioneve në konsorcium.
“..Nëse do të ishte paraqitur vetë Pegasus si aksioner në konsorciumin e ngritur, atëherë pjesmarrja e tij rezulton 75% e aksioneve dhe jo ndarja që është paraqitur në marrëveshjen e konsorciumit…, ku natyrisht ndryshojnë edhe kushtet e vlerësimit, të cilat në shumicën e detyrimeve i takojnë atij për t'u përmbushur si nga ana ligjore dhe financiare,” thuhet në raportin e KLSH.
Fituesi i paracaktuar
Në 23 korrik 2019 regjistrohet në Tiranë kompania LABORATORY NETËORKS, me kapital 10 milionë lekë, e cila do të zbatonte kontratën e koncesionit me vlerë 130 milionë euro të laboratorëve të analizave mjekësore pranë spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes.
Kompania themelohet në qershor 2019, regjistrohet në korrik, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë e kishte lidhur kontratën që në prill 2019. Kompania është në pronësi të tre kompanive me vendndodhje në Shqipëri, Holandë dhe Francë.
E para është LABOPHARMA SHPK, themeluar në 2007 nga shtetasi grek Ioannis Xopapas dhe Janis Karathano. Kompania Labopharma, e skeduar për mospagim detyrimesh tatimore dhe që ka një licencë për shitje barnash, ka 41.7 % të aksioneve, rrjedhimisht të koncensionit të laboratorë
Sot, pronar të Laboparma janë Janis Karathano me 50 për qind të aksioneve dhe kompania T-MEDSS me 50 për qind të aksioneve. Pronar i T-MEDSS, një kompani fantazmë e themeluar në vitin 2021, është Sokol Ramizi.
Sokol Ramizi është edhe administrator i koncesionit të laboratorëve. Kompania e dytë është AB Laboratory Solutions B.V me kapital 2.1 milionë lekë, me adresë në Laan Van Meerdervoort 1224, 2555 CD Hague, Hollandë, e cila ka 33 për qind të aksioneve në kompaninë koncensionare të laboratorëve.
Kompania është themeluar në vitin 2007 dhe nuk ka asnjë lidhje me laboratorët dhe diagnostikimin, por ka si objekt veprimtari financiare.
Kjo kompani, me administrator Konstantinos Karathanos, është në pronësi të kompanisë shqiptare Pegasus, me pronar të vetëm Janis Karathano, me të cilën ka marrë mbi 100 tendera në shëndetësi me vlerë rreth 20 milionë euro. Tenderat me vlerën më të lartë i ka marrë në bashkëpunim me kompaninë Evita të Klod Allajbut, përfitues i koncesionit abuziv 84 milionë euro të hemodializës.
Pra, Janis Karathano dhe Sokol Ramizi kontrollojnë në letra 75 për qind të koncensionit. Karathano ka blerë dhe përdorur një kompani financiare në Holandë, për të krijuar idenë e një bashkimi ndërkombëtar shoqërish, duke fituar koncesionin 130 milionë euro.
Kompani e tretë, e cila ka 25 % të koncesionit të laboratorëve, është EXALAB, një shoqëri franceze e regjistruar në Francë, me adresë në 208 Avenue Pasteur 33600 Pessac, Francë, dhe nr. regjistrimi 323 191 106 R.C.S Bordeaux.
Në të gjithë këtë kartel kompanish të sajuara dhe të ndërlidhura me Janis Karathanon, e vetmja kompani reale është shoqëria franceze EXALAB, me objekt laboratorët për analiza mjekësore, themeluar në vitin 1998, me administrator Olivier MARQ dhe Valérie MARAZANOF, me kapital 4.8 milionë euro.
Procedurat për koncesionin e laboratorëve nisën në vitin 2015 nga Ilir Beqaj dhe u finalizuan në 2019 nga Ogerta Manastirliu.
Kontrata u firmos në 24 prill 2019. Në bazë të kontratës, spitalet i paguajnë koncesionarit tarifën e shërbimit për të gjitha analizat e kryera në bazë të rekomandimeve të mjekëve referues, gjithmonë pa tejkaluar tavanin e buxhetit.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.