Në janar të vitit 2021, një pjesë e rrugës në Borsh u dëmtua nga shirat.
Për shkarje të tilla në këtë aks rrugor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, kishte menduar që në vitin 2017, duke finalizuar një tender mirëmbajtje, me vlerë rreth 13 milionë euro.
Por, çuditërisht, ARRSH-ja, hapi me shpejtësi një tender të ri për të stabilizuar këtë segment rrugor nga shkarkja, edhe pse ishin lëvruar një herë paratë për rrëshkitje të tilla të mundshme.
Në 19 maj 2021, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në atë kohë me në krye Ergys Verdho (më pas kreu i KESH dhe aktualisht drejtor i Hekurudhave) shpalli fituese kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt, për tenderin emergjent:
“Rrëshqitje e Borshit. Kontratë me çelësa në dorë", me fond limit rreth 1.3 milionë euro.
Procedura karakterizohet nga mungesa konkurrencës. Në tender ka marrë pjesë vetëm kompania fituese, duke ngritur dyshime se procedura emergjente është përdorur për të evituar një garë reale dhe për të paracaktuar fituesin.
Kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt paraqiti një ofertë shumë pranë fondit limit, me vlerë 1.3 milionë euro. Oferta gati sa fondi limit është produkt i 'emergjencës' dhe mungesës së konkurrencës, pasi kompania ofertuese nuk ka frikë nga oferta të tjera më të ulta.
Në janar 2023, KLSH ushtroi një kontroll të veprimtarisë financiare të ARRSH.
Përpos të tjerave, KLSH konstatoi abuzim me zbatimin e kontratës nga Gener 2, për të stabilizuar shkarjen e rrugës.
Dëmi ekonomik është llogaritur nga KLSH rreth 800 mijë euro, pra më shumë se sa gjysma e vlerës së tenderit, përmes punimeve të pakryera, fryrjes së kostos, manipulimit të projektit, deformimit të preventivit të punimeve etj.
Siç e theksuam që në krye, kjo histori abuzimi me paratë publike nuk është aq e thjeshtë sa duket.
Në prill të vitit 2017, Autoriteti Rrugor Shqiptar, asokohe me në krye Dashamir Xhikën, shpalli fitues kompaninë Salillari të Pëllumb Salillarit të tenderit me vlerë rreth 13 milionë euro, për mirëmbajtjen e aksin kombëtar Vlorë-Sarandë, ku përfshihet edhe rruga e Borshit.
Në zbatim të kontratës, Salillari ngërhyri fillimisht në pjesën e shembur. Por meqenëse ndërhyrja e parë sipërfaqësore nuk po e stabilizonte rrugën dhe kostoja po rritej, në lojë hyri ARRSH me thesin e madh të parave publike, duke bërë dy tendera të dyshimtë për një shërbim.
Në çdo fushë biznesi ka edhe një risk për mundësi humbje. Vetëm në tenderat e rrugëve, asnjë kompani nuk rrezikon për të humbur ndonjëherë, por me fitim të garantuar që kur shpallet tenderi.
Në rastet kur shembet ndonjë tunel apo rrugë, ARRSH është gati me thesin e parave në dorë, duke qetësuar kontraktorin, që në shumicën e rasteve është një nga 7-8 oligarkët
Megjithatë, rasti i Borshit është i paprecedentë dhe sfidë për SPAK-un. Janë bërë dy tendera për një shërbim.
Dhe si mos të mjaftonin dy tendera të paracaktuar dhe me ofertë fituese gati sa fondi limit, janë vjedhur paratë gjatë zbatimit të deformuar të kontratës.
Vjedhja është konstatuar nga KLSH, organi më i lartë i kontrollit financiar në vend, ashtu siç është SPAK-u struktura më e lartë hetimore.
Salillari, gjatë viteve të fundit, ka marrë mbi 200 milionë euro tendera publike, nga të cilët rreth 85 milionë euro nga ARRSH-ja. Tenderat janë firmosur nga të gjithë drejtorët e ARRSH, si ata që sot janë në burg, ata që kanë qenë në burg dhe janë liruar, si nga ata që pritet të futen në burg.
Në shumicën e tenderave, Salillari ka vjedhur paratë publike, duke paraqitur situacione për punime të pakryera.
Punimet e pakryera janë certifikuar kryesisht nga 'qenushja' e tij, Etnetela Çano, e njohur edhe si supervizorja personale e Salillarit, me kompaninë A & E ENGINEERING sh.p.k. 'Qenushja' e oligarkut ka certifikuar edhe punimet në rrugën Korçë-Ersekë, të cilën tashmë e ka marrë në 'dorëzim' SPAK-ut.
Ndërkaq, Bashkim Ulaj është ndoshta përfituesi më i madh i të gjitha kohrave i parave dhe pasurive publike.
Duke përfshirë edhe koncensionin Milot-Fier, përfitimet e tij nga paratë publike parashikohet të shkojnë mbi 1.3 miliardë euro, pa llogaritur hidrocentralet abuzive në Valbonë, guroret në Krujë, fibrat optike, kullat apo tentativën për të përlarë 32 milionë euro me kompaninë false DH Albania. Pa llogaritur planet për disa koncensione të reja. Pas mbitokës, synohet nëntoka.
Si për ironi, te ballkoni i pallatit të tij, del çdo natë Sali Berisha duke denoncuar korrupsionin!