Sa ar mori mbreti mbreti Zog kur u arratis? Flet historiani Marenglen Kasmi

21 Shkurt 2023, 20:41Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ahmet Zogu

Pak ditë më parë Arkivi qendror në Shqipëri publikoi një dokument që tregonte se sa ar mori mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria. Historiani i njohur Marenglen Kasmi i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare Tv tha se i ka bërë një analizë të mirëfilltë këtij dokumenti. Sipas Kasmit, ky dokument nuk duhet të merret për bazë. Ajo që marrim për bazë tha Kasmi është një shkresë zyrtare që mund të vijë nga banka e shtetit shqiptar të kohës, apo dokument doganor

"Unë bëra analizën e dokumentit. Nga ajo që pashë nga publikimi i dokumentit jam i bindur që nuk ka ndërhyrje në të. Por mjafton që kur publikohet t’i presësh vetëm anët ku janë shkrimet e dorës që mund të jenë shumë domethënëse për këtë dokument. Ajo që pashë ne fillim ishte kujt ekselence i drejtohet, çfarë përfaqëson personi që i ka shkruar. Ajo që u fol në media është që një oficer, madje as oficer nuk ishte, por ashtu i drejtohem unë. Pra një qytetar i drejtohet ekselencës që i jep ca të dhëna. Ekselenca besoj se duhet të jetë një nga funksionarët fashistë të ardhur mbas pushtimit italian ne Shqipëri. Përshtypja që më la pikësëpari është që i referohet disa shifrave. Pra 250 mijë napolona ar, pretendohet se është shumë që ka marrë vetëm Zogu. Ky që e bën është shqiptar. Emri është i shënuar në të. Emri i tij mua s’më thotë gjë. Unë mendoj që është një oficer i ushtrisë shqiptare. Përderisa në faqen e dytë të dokumentit ku shpjegohet arsyeja pse është shkruar ky dokument thuhet: Mos harroni shkëlqesi që unë jam i pari që kam përshëndetur me përshëndetjen fashiste.”

Për mua është një person që po kërkon një post dhe favorizim nga zotëria që i drejtohet. Për ta bërë të besueshme i jep një informacion për arin që Zogu mori me vete.

Pyetja tjetër që shtrohet në një vlerësim të dokumentit është që nga vjen informacioni. Nuk mund të themi që nga dogana greke u tha kjo shifër edhe sot ta marrim si të mirëqenë historike. Ky nuk punon në doganë, por edhe nëse do punonte nuk është një shkresë zyrtare. Po te ishte një dokument i nxjerrë nga dogana greke apo qoftë edhe shqiptare, pavarësisht që as njëra edhe as tjetra nuk ka lënë shënime për rastin në fjalë. Është e përshkruar ajo pjesa e kalimit. Ka pasur një ndalesë në doganë, është verifikuar. Por urdhri për të lejuar kolonën e Zogut për të kaluar erdhi nga lart, pra nga Athina. Zogu ka patur një vonesë në doganën e Kapshticës, por jo ndalim. Nuk është dokument që mund ta marrim për bazë. Ajo që marrim për bazë është një shkresë zyrtare që mund të vijë nga banka e shtetit shqiptar të kohës, apo dokument doganor", u shpreh Kasmi.

Kasmi tha se ky është një dokument që nuk mund t’i referohemi si të vërtetë, por duke bërë një llogari të shifrave të shifrave që shfaqen në letër, tha se vlera e arit të përmendur, përkthyer në ditët e sotme, arrin në 120 milionë dollarë.

“Unë kam bërë një llogari të përafërt të shifrave që përmenden në dokument, me vlerat e sotme. Janë shuma të majme. Një napolon flori kishte rreth 20 franga ar, dhe një frangë ari, nëse i referohemi prerjes më të madhe një-qindëshes, kishte 0.29 gramë ar në përbërje. Nëse i referohemi kësaj shume, del një shifër marramendëse. 250 mijë napolona ari janë jo pak. E përkthyer në shifra sot, janë 120 milionë dollarë.

Por ky është një dokument që për një profesionist nuk thotë asgjë. Sepse nuk të jep mundësinë e një informacioni të besueshëm që t’i referohesh. Ky dokument është njësoj si të dalë nga një zyrtar i sotëm dhe nesër të merret për referencë. Ne ende nuk e dimë se kush ishte ky person, çfarë përfaqësonte ai. Megjithatë ky dokument ngacmon një problem që edhe sot është i hapur. Por Arkiva duhet të jetë e kujdesshme kur nxjerr të tilla dokumente. Sepse dokumentet që publikohen duhet të kenë forcën e të vërtetës dhe të referencës. Pra të jetë e vërtetuar dhe e pakontestueshme”, u shpreh zoti Kasmi.

Sa ar mori mbreti mbreti Zog kur u arratis? Flet historiani Marenglen Kasmi
Marenglen Kasmi

Historiani thotë se Zogu mori 448,535 franga ari.

“Zogu mori nga thesari i shtetit 448,535 franga ari të ndara siç thotë drejtori i bankës në 13 strajca. Pra kaq gjeti kaq mori. Këtu i referohemi edhe një raporti të ministrit të financave të mohës, pra Kolë Thaçit, i cili thotë që në datën 6 prill mbreti e thërret edhe i thotë: Më bëj një raport për gjendjen e arit që kemi në thesar. Kjo është shuma që ishte në thesarin e shtetit në prag të pushtimit italian. Kështu që pasi urdhëroi në 6 prill ministrin të bëjë raportin, një ditë më vonë, një toger i zogut, bashkë me dy ushtarë të gardës dërgohen nga Zogu në Bankën e Shtetit Shqiptar ku drejtori i thesarit pra Kel Naraçi dhe arkëtari i përgjithshëm pra Ramadan Berberolli marrin në 13 strajca, thasë të vegjël dhe ia çojnë mbretit. Kjo referuar raportit zyrtar që ka bërë drejtori i bankës. Sa i përket arsyes, ajo që është thënë mbasi të dorëzohej ari, siç u dorëzua, Këshilli i Ministrave duhej të nënshkruante për marrjen në dorëzim të arit. Berberolli priti me orë të tëra për të marre ketë dokument edhe asnjëherë nuk e mori”, tha historiani.

Sa lekë të vetat, kishte mbreti Zog në bankë?

“Para se të largohej Zogu urdhëron edhe marrjen e parave që kishte depozituar në arkën e shtetit në llogari të tij. Bëhet fjalë 118.195 franga ari. Thesari i mbretit Zog në fakt ishte rreth 3 herë më shumë se thesari i shtetit.

Të gjitha këto shuma, pra paratë e shtetit, të arkës dhe të vetat dhe të gjitha bashkë ishin rreth 164 kilogramë ar.

Por ka dhe një pjesë tjetër, të pasurisë që ai kishte në Pallat, që është thuajse e panjohur. Para në formë bizhuterish, në shufra ari, pasi Zogu merrte që prej vitit 1925 dhurata të majme nga Italia.

Një napolon flori në këtë kohë ishte e barabartë me 20 franga ar, dhe nëse e llogarisim në napolona ari, janë rreth 27 mijë e 800 napolona ari që Zogu kishte me vete, nga dy burime, nga thesari i shtetit dhe të vetat. Nëse e llogarisim në dollarë 164 kilogramë ar kushtonin rreth 12.3 milionë dollarë amerikanë”, u shpreh Kasmi në Dritare TV.

Video