
Marrja e qytetit të Stalingradit gjatë ofensivës së verës gjermane të vitit 1942, në kuadër të sulmit të përgjithshëm gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, ishte një nga synimet më kryesore tëHitlerit. Këto luftime duhej ti kryente Armata e 6-të e Wehrmacht-it gjerman, të cilën e drejtonte gjenerali Friedrich Paulus. Kjo armatë arriti në Stalingrad (sot: Volgograd) në fund të gushtit 1943. Deri në muajin nëntor, gjermanët kishin pushtuar rreth 90 për qind të qytetit. Ndërkohë që lufta për marrjen e qytetit u shndërrua në një luftë të ashpër shtëpi më shtëpi e rrugë më rrugë, Stalini urdhëroi afrimin e forcave të reja e të freskëta në Stalingrad.
Si pasojë, më 19 nëntor 1942, Ushtria e Kuqe filloi një ofensivë të madhe në formë dare në veriperëndim dhe jug të Stalingradit. Vetëm tre ditë më vonë, sulmi çoi në rrethimin e të gjithë Armatës së 6-të dhe pjesëve të Armatës së 4-të tankiste dhe mbetjeve të Armatës së Tretë dhe të 4-të rumune, gjithsej rreth 250,000 gjermanë dhe mbi 30,000 ushtarë ndihmës rumunë dhe rusë.
Hitleri e shpalli Stalingradin simbol të vullnetit gjerman për të fituar luftën. Ai e lidhte pushtimin e Stalingradit, si qendra më e rëndësishme strategjike e armatimeve dhe transportit në Vollgë me fitoren personale ndaj kundërshtarit të tij, Stalinit, meqë qyteti mbante emrin e tij. Hitleri refuzoi kategorikisht një kërkesë nga Paulus që të lejonte tërheqjen e forcave të tij 40-50 kilometra më në perëndim, me qëllim daljen nga rrethimi. Herman Göring, i premtoi Hitlerit se do të furnizonte nga ajri forcat gjermane të rrethuara në Stalingrad, çka sigurisht që ishte e pamundur sepse forcave gjermane nën rrethim u duheshin 300-400 ton furnizime çdo ditë.
Një përpjekje për të nxjerrë forcat gjermane nga rrethimi filloi më 12 dhjetor 1942 nga grup armata e Donit, e cila u grupua me nxitim nën komandën e Erichvon Manstein. Njësitë tankiste të kësaj grup-armate, nën komandën e gjeneral kolonelit Hermann Hoth iu afruan Stalingradit 48 kilometra. Por sulmi i tyre ndaloi pas nëntë ditësh për shkak të rezistencës sovjetike. Më 23 dhjetor 1942 Hitleri nxori urdhrin e fundit për Stalingradin, ku urdhëronte qëndresën me çdo kusht.
Në atë kohë, racioni ditor i ushtarëve gjermanë ishte dy feta bukë dhe pak çaj, herë pas here një supë e hollë. Vdekjet e para nga lodhja dhe kequshqyerja filluan të shfaqen në mes të dhjetorit. Dimri rus, me temperatura nën -40 gradë, mori gjithashtu mijëra jetë midis ushtarëve të Wehrmacht, të cilët ishin të pajisur në mënyrë të pamjaftueshme për t'i bërë ballë temperaturave të ngrirjes. Deri më 18 janar 1943, trupat gjermane hoqën dorë nga të gjitha vijat e mbrojtjes dhe u tërhoqën plotësisht brenda qytetit të Stalingradit, ku u ndanë në dy rrethime të pjesshme. Më 30 janar, Adolf Hitler e gradoi Paulusin Feldmareshal.
Meqenëse asnjë marshall gjerman nuk ishte dorëzuar më parë, gradimi i Paulusit kishte për qëllim ta motivonte atë të vazhdonte të luftonte me Ushtrinë e 6-të deri në "vdekjen e heroit". Megjithatë, Paulusi me njësitë e tij të mbetura në xhepin jugor u dorëzua më 31 janar 1943. Dy ditë më vonë u dorëzuan edhe trupat e rraskapitura gjermane në xhepin verior të qytetit. Rreth 150,000 ushtarë gjermanë u vranë gjatë luftimeve, të ftohtit apo urisë. Rreth 91,000 të tjerë u zunë robër lufte nga sovjetikët, nga të cilët ndoshta 6,000 të mbijetuar u kthyen në Gjermani deri në vitin 1956. Ushtria e Kuqe pati më shumë se 400,000 të vrarë.
Humbja gjermane në Stalingrad në luftën kundër Bashkimit Sovjetik ndryshoni përgjithmonë ecurinë e luftës. Iniciativa e sulmit tani i kaloi Ushtrisë së Kuqe. Kjo ishte edhe pika e kthesës së Luftës së Dytë Botërore.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.