Lufta e Dytë Botërore: Përgatitja e pushtimit gjerman të Shqipërisë

23 Janar 2023, 18:14Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Foto ilustruese

Viti 1943 ishte viti i ndryshimeve të mëdha strategjike për të dy palët ndërluftuese gjatë Luftës së Dytë Botërore, si për bllokun nazifashist, ashtu edhe për aleatët anglo-amerikanë-sovjetikë. Në këtë kuadër, një rëndësi të veçantë fitonte fronti i Europës Juglindore. Shqipëria, si pasoje e pozicionit të saj gjeografik, vijës së gjatë bregdetare por edhe e një sërë aerodromesh ushtarake në gjendje të mirë, përbënte një nyje kyçe strategjike dhe operative për të dy palët. Ndërkohë që Aleatët, e kryesisht britanikët, mendonin për hapjen e Frontit të Dytë në Europë, ku për gjithë arsyet e sipërpërmendura Shqipëria ishte vendi më i përshtatshëm për zbarkim, gjermanët të vetëdijshëm për këtë gjë, por edhe të shtyrë nga paaftësia e makinës italiane të luftës për t’i bërë ballë këtij fenomeni si edhe luftës në rritje të shqiptarëve ndaj pushtuesit italianë, filluan qysh në fillimvitin 1943 të interesoheshin për situatën e brendshme në Shqipëri, duke përgatitur kësisoj kushtet për një pushtim të mundshëm të trojeve shqiptare.

Dokumenti që po botojmë sot për herë të parë hedh dritë mbi masat paraprake që morën instancat e larta gjermane për pushtimin e Shqipërisë.

***

Situatën në trojet shqiptare e ilustron më së miri një raportim i ambasadorit gjerman në Sofje, Adolf Beckerle(1902-1976), i cili më 10 shkurt 1943 raporton në Berlin si më poshtë: “Konsulli i Përgjithshëm i Shkupit më mbajti para disa ditësh një referat [...] dhe më përshkroi situatën në hapësirën shqiptare në mënyrën më të zezë të mundshme. Urrejtja ndaj italianëve ka arritur majat. Shqiptarët janë në këtë armiqësi [ndaj italianëve –M.K] të bashkuar dhe të vendosur. Aty jetohet si mbi një vullkan dhe shumë shpejt pritet që shqiptarët të ngrihen në një kryengritje të përgjithshme. Pasiguria ushqehet nga gjendja disfatiste e italianëve, të cilët duken shumë të trembur dhe mundohen që nëpërmjet lëshimeve të qetësojnë shqiptarët. Qëndrimi i shqiptarëve kundrejt nesh, gjermanëve, vazhdon të jetë miqësor. Ata shpresojnë që me ndihmën tonë të fitojnë një Shqipëri të pavarur dhe të lirë. Kjo vlen si për shqiptarët që jetojnë në territoret bullgare në Maqedoni, ashtu edhe për shqiptarët në Shqipërinë aktuale“.

Lufta e Dytë Botërore: Përgatitja e pushtimit gjerman të

Të njëjtin qëndrim dhe vlerësim ndaj kësaj problematike, mbante edhe hierarkia e lartë ushtarake gjermane. Madje, ata e ndanin edhe me Romën këtë shqetësim. Kështu që, Komandanti i Përgjithshëm gjerman në Serbi raportonte se situata në Shqipëri nuk ishte e stabilizuar, çka i krijonte Aleatëve kushte shumë të mira të zbarkonin në Shqipërinë Jugore. Kështu që, për t’i paraprirë çdo surprize, u vendos që dy divizione gjermane të vazhdonin të qëndronin në gatishmëri në Serbi, ndonëse ishin menduar të përdoreshin në një front tjetër të luftës.

Sa i përket masave që duhej të merrte Wehrmacht-i gjerman në Shqipëri për t’i paraprirë situatës, jep detaje një telegram i shifruar i konsullit gjerman në TiranëSchliep, drejtuar ambasadës gjermane në Romë më 24 shkurt 1943. Ai shkruan: “Më 21.2 dhe 22.2 u paraqit para meje kapiteni Dr. Gustav Stratil/Sauer, i cili u identifikua nëpërmjet një letërnjoftimi të vlefshëm të Komandës së Lartë t ëWehrmacht-it. Më tha se ishte ngarkuar nga zyra e zbulimit në Sofje të vlerësonte dhe raportonte për situatën në Shqipëri e sidomos për vatrën e trazirave në Shqipërinë e Jugut. Bazuar në mendimin e krijuar, Sauer do t’i këshillojë eprorëve të tij si më poshtë:

1.   Ngritjen e një rrjeti informativ me njerëz të besuar në Shqipërinë e Jugut për të mbledhur informacione në vazhdimësi për fuqinë, armatimin, aktivitetet dhe qëndrimin politik të luftëtarëve.

2.   Mundësimi i një takimi me drejtuesit e bandave.

3.   Vendosja paraprakisht e të paktën një batalioni gjerman në Korçë.

4.   Krijimi i një legjioni shqiptar, me pakicat shqiptare në Bullgari dhe Serbi, ndoshta për t’i përdorur menjëherë në rast të ndonjë tentative të mundshme zbarkimi në Shqipërinë e Jugut.

5.   Ngritja e një stacioni ndërlidhës në Konsullatën e Përgjithshme [Tiranë – M.K] me aparatura dhe personel.

Për pikën 1, duhet që Konsullata e Përgjithshme të fillojë që tani punën [...]”.

Duke ndjekur rrjedhën e ngjarjeve në Shqipëri para pushtimit në shtator 1943, por edhe politikat pushtuese pas hyrjes së Wehrmacht-it gjerman në Shqipëri, arrijmë në përfundimin se propozimet e kapitenit Dr. Sauer u morën në konsideratë nga eprorët e tij. Siç theksohet edhe në dokument, legata gjermane në Tiranë filloi menjëherë organizimin e rrjetit të njerëzve të besuar, madje jo vetëm në Shqipërinë e Jugut, siç propozonte Sauer, por në gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Kosovën. Ky kontingjent formohej kryesisht nga shqiptarë të arsimuar në Austri dhe Gjermani, të cilët asokohe ishin edhe përkrahës të“deutsche Kultur” (kulturës gjermane) në Shqipëri. Të tillë ishin Xhaferr Deva, Rexhep Mitrovica etj. në Kosovë, apo Vehbi Frashëri në Shqipëri etj.

Po ashtu, edhe tentativat për t’u afruar me drejtuesit e bandave, siç gjermanët quanin si formacionet partizane ashtu edhe ato nacionaliste, ishte mjaft jetike për politikën gjermane. Duke marrë në konsideratë faktin se rreziku më i madh Gjermanisë i vinte nga Aleatët, drejtuesit gjermanë, duke nxjerrë mësime edhe nga dështimet e italianëve në Shqipëri, kërkonin bashkëpunimin e gjithë formacioneve luftarake joqeveritare, me qëllim që të arrinin një paqësim politik dhe ushtarak në Shqipëri, për t’u përqendruar vetëm në mbrojtjen e vijës bregdetare, nëse do të ndodhte një zbarkim aleat në frontin juglindor. Përvoja historike tregoi se ndaj kësaj politike formacionet politiko-ushtarake shqiptare nuk reaguan njësoj. Ndërkohë që Fronti Nacionalçlirimtar të drejtuar nga Partia Komuniste nuk e pranuan këtë politikë bashkëpunimi, eksponentë në zë nacionalistë, të cilët më pas u mblodhën nën çatinë e qeverisë shqiptare, por edhe të tjerë që u përfshinë në organizatën e Ballit Kombëtar dhe diktuan politikën e kësaj organizate, e pranuan këtë ofertë të gjermanëve. Qartazi kjo gjë u shfaq në marrëveshjen që lindi e “vdekur” në Mukje, ku Balli Kombëtar shkoi duke i dhënë paraprakisht garanci gjermanëve, që nuk do të luftonte kundër tyre.

Sa i përket propozimit për vendosjen e një batalioni gjerman në Korçë, propozimi i kapitenit Sauer u tejkalua, sepse para pushtimit gjerman të Shqipërisë, Wehrmacht-i gjerman dislokoi në Shqipëri më tepër forca, kryesisht për mbrojtjen e aerodromeve ushtarakë.

Propozimi i fundit, për ngritjen e një legjioni nga minoritetet shqiptare të Bullgarisë dhe Serbisë nuk u pranua nga drejtuesit gjermanë. Ata mendonin se, përdorimi i tyre në Shqipërinë Jugore do të shkaktonte një pakënaqësi të madhe te popullsia shqiptare dhe do të konsiderohej si një ndërhyrje e Bullgarisë në çështje të brendshme të Shqipërisë.

***

Pavarësisht mungesës së planeve afatgjata nacional-socialiste ndaj Shqipërisë dhe pushtimit të detyruar të Shqipërisë për arsye të mirëfillta ushtarake në shtatorin e vitit 1943, pushtimi i Shqipërisë nuk u krye pa marrë masa përgatitore. Dokumenti i mësipërm, por edhe një sërë dokumentesh të tjera gjermane e vërtetojnë këtë gjë. Ky dokumentacion plotëson një boshësi historike të kësaj periudhe sepse ndër të tjera, na jep detaje për qëndrimin e forcave politike shqiptare ndaj pushtuesve. Hera-herës artikulohet sot nga studiues të veçuar se, gjermanët ishin kalimtarë në Shqipëri dhe nuk kemi të bëjmë me një pushtim klasik të një vendi. Rrjedha e ngjarjeve dhe dokumentet arkivore vërtetojnë të kundërtën.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video