Pushtimi sovjetik në Afganistan 1979-1989

13 Shkurt 2023, 19:30Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lufta Bashkimi Sovjetik-Afganistan

Në prag të Krishtlindjeve të vitit 1979, në aeroportin e Kabulitu ulën avionë ushtarakë sovjetike që transportonin ushtarë, të mirëpajisur me teknikë e armatime luftarake. Në të njëjtën kohë, 400 kilometra në veri të Afganistanit, kolonat e tankeve sovjetike kaluan kufirin midis Republikës Sovjetike të Uzbekistanit dhe Afganistanit, duke u drejtuar drejt kryeqytetit afgan, Kabulit.

Më 27 dhjetor 1979, trupa komando sovjetike sulmuan Kabulin dhe, pasi hodhën në erë zyrën e telegrafit, pushtuan ndërtesën e radios, çka duhej të shënonte simbolikisht edhe marrjen e kryeqytetit. Ndonëse plani i pushtimit për një luftë të shpejtë dukej sikur po funksiononte, këshilltari amerikan i sigurisë, Brzezinski i thoshte presidentit Jimmy Carter se tani “e kemi mundësinë tu japim sovjetikëve Vietnamin e tyre".

***

Historikisht, territori në malet Hindu Kush ka qenë i vështirë për t'u kontrolluar. Britanikët e kishin provuar këtë gjë në shekullin e 19-të, në të ashtuquajturën Lojë e Madhe. Duke ditur se edhe Rusia ishte e interesuar ndaj Afganistanit, Britania shpejtoi të siguronte lidhjen me koloninë e saj, Indinë dhe dërgoi trupa në Afganistan. Por, ajo humbi disa beteja kundër popullit pashtun. "Lufta është një përvojë emocionuese për ta dhe një ndryshim nga puna monotone", shkruante në vitin 1857 për afganët historiani ushtarak, Friedrich Engels. 90 vjet më vonë India fitoi pavarësinë dhe Britania e Madhe nuk kishte më ndikim në këtë rajon. Por, Moska u alarmua nga rilindja e Islamit në Iran dhe ringjallja e fesë në republikat sovjetike aziatike dhe nuk mund të rrinte duarkryq.

Në vitet 1950-1960 Bashkimi Sovjetik e ndihmoi Afganistanin, duke i dhënë hua, ndërtoi rrugë e shkolla dhe dërgoi specialistë e konsulentë në të gjitha fushat, përfshi edhe ushtrinë. Ajo që disa afganë, kryesisht në kryeqytet, e mirëpritën si shoqëri moderne, nënkuptonte për të tjerët në zonat rurale shkatërrimin e kulturës vendase. Dallimeve tradicionale etnike iu bashkuan edhe ato ideologjike: mullahët që refuzuan të mohonin Allahun dhe Kuranin u vranë në burgjet përreth Kabulit. Nga ana tjetër, në brendësi të vendit, njerëzit rrezikonin jetën nëse donin të përhapnin idetë komuniste.

Si rrjedhim, në pranverën e vitit 1979 Afganistani ishte përfshirë praktikisht në një luftë civile. Udhëheqësi sovjetik, Leonid Brezhnev, besonte se në Afganistan rendi mund të vendosej brenda gjashtë muajve. Moska do të instalonte një regjim besnik ndaj sovjetikëve dhe më pas do të tërhiqej nga ky vend. Ashtu si komunistët pro-Moskës në Çekosllovaki një dekadë më parë, Babrak Karmal, kreu i ri i qeverisë në Kabul, i kërkoi "ndihmë vëllazërore" Bashkimit Sovjetik. Ndihma kishte për qëllim të legalizonte pushtimin e Afganistanit. Kjo politikë rezultoi shkatërruese për Bashkimin Sovjetik.

Ndërhyrja sovjetike në Afganistan nuk u mirëprit nga vendet perëndimore. Më 18 janar 1980, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi për tërheqjen e menjëhershme, të pakushtëzuar dhe të plotë të forcave ushtarake sovjetike nga Afganistani. Dy javë më vonë, Konferenca Islamike miratoi votimin e OKB-së. Po ashtu, në korrik 1980, vendet perëndimore bojkotuan Lojërat Olimpike Verore në Moskë.

Ndërkohë, epërsia teknike e superfuqisë sovjetike dukej se po garantonte sukses. 85,000 ushtarë sovjetikë kontrollonin qytetet kryesore, kalimet dhe qendrat e transportit. Nuk kaloi kohë dhe sikurse kishte ndodhur edhe kundër britanikëve, grupimet etnike afgane i lanë mënjanë grindjet e tyre dhe u bashkuan në luftë kundër pushtuesve sovjetikë. 

Mullahët u vunë në qendër të rebelimit ndaj "të pafeve". Dhe SHBA-të nxituan të ndihmonin muxhahedinët në luftën e tyre. Operacioni drejtohej në mënyrë të fshehtë nga CIA. Kostoja e kësaj ndihme shkoi mbi 6 miliardë dollarë amerikanë. Pakistani u bë baza logjistike e luftës kundër sovjetikëve. Ndërkohë në Pakistan kishin emigruar mbi 3 milionë afganë. Në kampet e emigrantëve afganë, agjentët amerikanë filluan trajnimin e luftëtarëve afganë me armë modernë. Ata u furnizuan me materiale  ushtarake që varionin nga dylbi, deri te armët e teknologjisë së lartë, si raketat Stinger. Pas stërvitjes e armatosjes, luftëtarët afganë ktheheshin nëpërmjet kufirit të pakontrolluar në vendin e tyre dhe luftonin kundër rusëve.

Ushtria sovjetike po pësonte humbje të rënda, sidomos pasi humbi epërsinë ajrore për shkak të raketave amerikane Stinger. Duke shfrytëzuar malet e larta, luftëtarët afganë e kishin shumë të lehtë të asgjësonin helikopterët dhe avionët rusë. Ndërkohë, në Bashkimin Sovjetik kjo luftë ishte kthyer në një temë tabu. Ndonëse lufta në Afganistan zgjati dy herë më shumë se Lufta e Dytë Botërore, mungonte tërësisht informacioni dhe sidomos për humbjet e ushtrisë sovjetike.

Ashtu si dikur amerikanët në Vietnam edhe rusët në Afganistan e kuptuan se kjo luftë nuk mund të fitohej. Çka nisi si një operacion gjashtë mujor, zgjati pothuajse 10 vite. Në vitin 1986, Gorbaçovi e quajti luftën në Afganistan një "plagë që kullonte gjak", e cila duhej mbyllur dhe urdhëroi fillimin e tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Më 15 shkurt 1989, gjenerali Boris Gromov ishte ushtaraku i fundit rus që kaloi "Urën e Miqësisë" midis Afganistanit dhe Uzbekistanit. Moska kishte shpenzuar rreth 85 miliardë dollarë për luftën e humbur. Zyrtarisht, në këtë luftë kishin vdekur 15,000 ushtarë sovjetikë, por numri real është shumë herë më i madh. Përpjekja e Moskës për të transformuar një vend feudal në socializëm kushtoi një milion jetë njerëzish. Mbi një mijë fshatra u shkatërruan dhe pesë milionë afganë u larguan në vendet fqinje.

Pas tërheqjes së rusëve, luftëtarët e shenjtë, tashmë me statusin e luftëtarëve të lirisë, filluan si dikur të luftonin kundër njëri-tjetrit. "Muxhahedinët nuk mund të ndërrojnë kallashnikovin me lopatën", dëgjohej të thoshin rëndom njerëzit. Shumë afganë i mirëpritën talebanët e mbështetur nga Pakistani, një lëvizje radikale islamike që ruante ligjin dhe rendin në shumë vende. Por, u pa shpejt se talebanët radikalë ishin sunduesit e terrorit. Talibanët futën ligjin e Sheriatit në sferën e tyre të ndikimit dhe persekutonin pa mëshirë këdo që donte të krijonte struktura shtetërore laike  dhe mbështeste politikat dhe vlerat perëndimore. Pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Afganistan në vitin 2001, një veteran rus do të shprehej: "Nuk mund të fitohet në Afganistan. Amerikanët dhe gjermanët duhet ta kuptojnë gjithashtu këtë. Ju mund vetëm të tërhiqeni në mbrojtje, të mbyllni kufijtë dhe të shpresoni se afganët do të vijnë në vete.” (Burimi: Spiegel/Geschichte).

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video