
Disa vegla të lashta prej guri të gjetura në Ukrainën perëndimore mund të jenë prova më e hershme e pranisë së njerëzve në Evropë, sipas një sutdimi të botuar të mërkurën në revistën Nature.
Gurët me origjinë nga shkëmbi vullkanik, por të përpunuar, u zbuluan nga një gurore në Korolevo në vitet 1970. Arkeologët përdorën metoda të reja për të datuar shtresat e shkëmbinjve sedimentarë që rrethojnë këto vegla parahistorike, duke i datuar mbi 1 milionë vjet më parë.
“Kjo është prova më e hershme e çdo lloji njeriu në Evropë që është datuar”, tha Mads Faurschou Knudsen, një gjeofizikan në Universitetin Aarhus në Danimarkë dhe bashkëautor i studimit të ri.
Ai tha se nuk është e sigurt se cilët paraardhës të hershëm njerëzor i kanë krijuar mjetet, por mund të ketë qenë Homo Erectus, specia e parë që eci në këmbë dhe zotëroi përdorimin e zjarrit.
"Ne nuk kemi mbetje fosile, kështu që nuk mund të jemi të sigurt”, tha Roman Garba, një arkeolog në Akademinë Çeke të Shkencave dhe bashkautor i këtij studimi.
Veglat prej guri të copëtuara ka të ngjarë të përdoreshin për prerjen e mishit dhe ndoshta për gërvishtjen e lëkurës së kafshëve, tha ai.
Studiuesit sugjerojnë se mjetet mund të jenë të vjetra deri në 1.4 milion vjet, por ekspertë të tjerë thonë se metodologjia e studimit sugjeron se ato mund të jenë pak më shumë se 1 milion vjet të vjetra, duke i vendosur ato afërsisht në të njëjtin interval datash si mjetet e tjera të lashta të zbuluara në Spanjë.
Veglat më të hershme prej guri të këtij lloji u gjetën në Afrikën Lindore dhe datojnë 2.8 milionë vjet më parë, tha Rick Potts, i cili drejton Programin e Origjinës Njerëzore të Institutit Smithsonian.
Vendi ku u bë zbulimi në Ukrainë është i rëndësishëm sepse “është vendi më i hershëm në veriun e largët”, duke sugjeruar që njerëzit e hershëm që u shpërndanë nga Afrika me këto mjete ishin në gjendje të mbijetonin në mjedise të ndryshme.
“Njerëzit më të vjetër me këtë teknologji të vjetër të veglave prej guri ishin në gjendje të kolonizonin kudo nga Iberia e ngrohtë (Spanjë) në Ukrainë, ku të paktën sezonalisht është shumë ftohtë, ky është një nivel i mahnitshëm përshtatjeje”, tha Potts.