Ekskluzive: Enver Hoxha dhe marrëdhëniet diplomatike me SHBA

20 June 2022, 20:12Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ekskluzive: Enver Hoxha dhe marrëdhëniet diplomatike me SHBA
Enver Hoxha

Më 28 korrik 2022 mbushen plot 100 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së. Sikurse është e njohur, pas Luftës së Dytë Botërore, prej vitit 1946, asnjë diplomat amerikan nuk e shkeli tokën shqiptare dhe midis dy shteteve nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Së pari në vitin 1991, pas rënies së regjimit komunist do të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike dhe në Tiranë do të hapej përsëri ambasada amerikane.

Më poshtë po japim një informacion të hartuar nga zbulimi shqiptar, të nënshkruar nga Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, që daton 29 shkurt 1987, ku përshkruhen arsyet amerikane për mos vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Informacionin e ka lexuar edhe Ramiz Alia.

Interesant është fakti që informacioni bazohet mbi një studim sekret që Departamenti i Shtetit kishte përgatitur në vitin 1973 për historikun e marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Fakti që në informacion citohen pjesë nga studimi, lë të nënkuptohet që informatori i Sigurimit të Shtetit e ka pasur në dorë këtë studim sekret të Departamentit të Shtetit.

Sipas këtij informacioni, në vitin 1946, qeveria e SHBA-së nuk kishte asnjë përfitim për të njohur qeverinë e Enver Hoxhës. Ndër të tjera në raport theksohet se “në shtator 1946, Sekretari i Shtetit të SHBA Byrnes, kryesisht për shkak të acarimit të marrëdhënieve Lindje-Perëndim, vendosi se nuk ishte koha e favorshme për SHBA të njihte qeverinë shqiptare edhe sikur ajo të pranonte kushtet e traktateve e marrëveshjeve të mëparshme me SHBA, prandaj në nëntor 1946 tërhoqi Misionin”.

E vërteta është se Enver Hoxha nuk ishte i gatshëm të njihte marrëveshjet dhe traktatet e mëparshme të vendosura nga Ahmet Zogu me qeverinë amerikane. Sipas këtij studimi, kaq jo e gatshme ishte edhe qeveria amerikane për këtë gjë. Mesa duket, Enver Hoxha ra pre e mungesës së përvojës diplomatike dhe nuk e kuptoi dot lojën e madhe që bëhej.

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha lëshoi disa sinjale në drejtim të SHBA-ve për të vendosur marrëdhëniet diplomatike. Por, në studim theksohet se “kjo deklaratë u bë në një kohë kur Hrushovi po komplotonte për të përmbysur regjimin e Hoxhës dhe po u shtrëngonte vidat udhëheqësve kryesorë shqiptarë. SHBA nuk reaguan ndaj këtyre ofertave shqiptare. Mendimi i Departamentit të Shtetit në atë kohë ishte se përderisa ekzistenca e një Shqipërie komuniste përbente burimin e distancës dhe konfuzionit brenda kampit socialist, situata shqiptare duhej lejuar të zhvillohej në linjat e veta natyrale si një forcë e rëndësishme përçarëse në mosmarrëveshjet e atëhershme kino-sovjetike”.

Në vitet në vijim ndryshon disi situata. Kur SHBA-ja në vitet 1969-1970, 1972 dhe 1973 tentoi të afrohej për të vendosur marrëdhëniet me Shqipërinë, ishte Enver Hoxha që mbante qëndrim të larguar.

Për më shumë, lexojmë informacionin e plotë:

***

REPUBLIKA POPOLLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME
DREJTORIA E TRETE                                                                             Sekret

                                                                                                            Ekzemplar nr. 1

Nr. 211                                                                                                Tiranë, më 29.2.1987

 

INFORMACION

Sipas një dokumenti të Departamentit të Shtetit, në dhjetor 1973, me kërkesë të Drejtorisë së këtij departamenti, për Evropën Lindore, Stefan Peters, ish nëpunës i MPJ amerikane dhe konsulent i Zyrës së Zbulimit e Kërkimit për probleme shqiptare ka përgatitur një studim në formë përshkrimi historik prej 18 faqesh me temë: “Shqipëria- Qëndrimi amerikan lidhur me njohjen e qeverisë së Tiranës. Materiali është vlerësuar sekret dhe për përdorim te kufizuar zyrtar.

Ekskluzive: Enver Hoxha dhe marrëdhëniet diplomatike me SHBA

 

Studimi reflekton ne detaje periudhën e marrëdhënieve amerikano-shqiptare nga viti 1944 deri më 1946, detyrat që iu ngarkuan misionit amerikan, korrespondenca e bisedimeve të zhvilluara për njohjen e qeverisë tonë nga qeveria amerikane si edhe pretendimet amerikane për mosnjohjen.

Ndër të tjera theksohet se “në shtator 1946, Sekretari i Shtetit të SHBA Byrnes, kryesisht për shkak të acarimit të marrëdhënieve Lindje-Perëndim, vendosi se nuk ishte koha e favorshme për SHBA të njihte qeverinë shqiptare edhe sikur ajo të pranonte kushtet e traktateve e marrëveshjeve të mëparshme me SHBA, prandaj në nëntor 1946 tërhoqi Misionin”.

Ekskluzive: Enver Hoxha dhe marrëdhëniet diplomatike me SHBA

Në faqet 17 e 18 të materialit theksohet: “që nga largimi i misionit amerikan nga Tirana, asnjë zyrtar amerikan nuk ka shkelur në Shqipëri dhe nuk është zhvilluar asnjë lloj diskutimi zyrtar lidhur me njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve. Nga fundi i viteve 1950 dhe fillimi i viteve 1960 kur aleanca e Shqipërisë me padronin e saj të fuqishëm, Bashkimin Sovjetik, po prishej, zyrtarë të MPJ shqiptare lëshuan fjalë nëpërmjet të tretëve për normalizimin e marrëdhënieve me SHBA, por asgjë nuk doli prej tyre. deklarata më e rëndësishme zyrtare për këtë çështje u bë më 28 shtator 1960 nga kryeministri M. Shehu në një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku u deklarua se “ne përsëri konfirmojmë gatishmërinë tonë për të vendosur marrëdhënie normale me të gjithë shtetet që dëshirojnë të kenë marrëdhënie me ne, duke përfshirë edhe SHBA e Anglinë”.

Më poshtë studimi thekson se “kjo deklaratë u bë në një kohë kur Hrushovi po komplotonte për të përmbysur regjimin e Hoxhës dhe po u shtrëngonte vidat udhëheqësve kryesorë shqiptarë. SHBA nuk reaguan ndaj këtyre ofertave shqiptare. Mendimi i Departamentit të Shtetit në atë kohë ishte se përderisa ekzistenca e një Shqipërie komuniste përbente burimin e distancës dhe konfuzionit brenda kampit socialist, situata shqiptare duhej lejuar të zhvillohej në linjat e veta natyrale si një forcë e rëndësishme përçarëse në mosmarrëveshjet e atëhershme kino-sovjetike”.

Në vazhdim flitet për tentativat e ofertat e SHBA në vitet 1969-1970, 1972 dhe 1973 për vendosjen e marrëdhënieve me vendin tonë, për të cilat nuk ka patur reagime pozitive nga pala shqiptare. Në këtë kontekst theksohet se “reagimet private dhe të dorës së dytë nga qarqe diplomatike shqiptare tregojnë se regjimi, duke e ndjerë se topi është në oborrin amerikan, nuk nxiton për t’iu përgjigjur”.

Ekskluzive: Enver Hoxha dhe marrëdhëniet diplomatike me SHBA

Ministri i Punëve të Brendshme

Hekuran Isai

Nënshkrimi

Vula

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video