Balli Kombëtar i parë nga brenda dhe një letër e rrallë për ballistët “që dergjeshin në kolltukët e Dajtit”

23 February 2022, 00:00Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Balli Kombëtar i parë nga brenda dhe një letër e rrallë
Drejtuesit e Ballit dhe letra e Ismail Golemit

Një dokument i rrallë nga Arkivi i Shtetit Shqiptar që ilustron mosmarrëveshjet brenda organizatës së Ballit Kombëtar gjatë pushtimit gjerman. Letra është shkruar nga një eksponent i lartë i Ballit Kombëtar për Gjirokastrën, Ismail Golemi dhe mban datën 13 korrik 1944. Ismaili kishte shkuar në Tiranë për të marrë nga drejtuesit e organizatës së Ballit Kombëtar orientime për vazhdimin e luftës. Në këtë letër që ai u dërgon shokëve të tij, dalin qartë problemet që ekzistonin ndërmjet drejtuesve të Ballit Kombëtar “që dergjeshin në kolltukët e Dajtit” dhe forcave të Ballit në terren. “Këtyre zotërinjve këtu sakrificat tona nuk u bëjnë përshtypje dhe na konsiderojnë si bagëti” u shkruan ai shokëve të tij qysh në fillim të letrës.

Letra e Ismail Golemit tregon më së miri jo vetëm vizionin e drejtuesve të Ballit Kombëtar por po ashtu edhe marrëdhëniet e brendshme brenda organizatës së Ballit Kombëtar dhe mënyrës se si drejtuesit e kësaj organizate shikoheshin nga baza. Në fund të letrës për shokët e tij në Gjirokastër Golemi i porosit shokët e tij të marrin vetë situatën në dorë dhe urdhrat ti marrin veç nga “nga Komanda e tyre pa pasur nevoj të hiqen nga hun(d)a prej atyre që skano djersitur kurë për këtë Atdhe”.

Më poshtë po japim letrën e plotë:

“Tiranë 13/VII/44

Të dashur shok të idealit kombëtar: Shefqet, Muharrem, Myrdar dhe Merqes:

Unë me gjithë shok erdha mirë e shëndoshë. Gjermanët u suall mirë me mua ata ç’mojnë punët t’ona dhe luftrat, më prezantuan me shokët e tyre mirë.

U paraqita në Komitet ju bëra të njohur bashkë me Hakin dhe Isnin gjithë gjendien e atjeshme, sidomos Metat Beut dhe më vonë Ali Këlcyrës e Abas Ermenit se këta të dy ndodheshin në Berat dhe erdhën më von.

Balli Kombëtar i parë nga brenda dhe një letër e rrallë
Letra e Ismail Golemit

U kërkova llogari pse nuk na kishin dhënë direktiva me shkrim si duhej të veprojmë dhe ç’pozit do majmë me Qeverin? Fërkojnë duart trigoneshin si të munuar shumë e nga pengesat që kanë patur, po e vërteta është se s’kanë dashur. Këtyre zotërinjve këtu sakrificat t’ona su bëjnë asnjë përshtypje na konsiderojnë bagëti. Ju thashë se shokët presin përgjigje me Hakin dhe Isnin, Aliu tha të rinë këtu njer sa të formohet Qeveri e re dhe neve do jemi në gjendje të ju njoftojmë si duhet me punue. Në këtë mënyr mbeti fjala, Qeveria e re s’ashtë formuar, pritet brenda 2-3 ditëve të formohet, me këtë përfundime shokët t’uaj do vijnë posht dhe do ju bien hollsina. Po e vërteta qëndron kështu se kryetarët e Ballit nuk janë njerës të hedhur në fushë të veprimit për me shpëtu popullin nga reziku vetëm duanë me përfitu për vehte rehat e pozit dhe ata që i niekin prapa le të shkojnë mishë për mikë.

Menimet e mia dhe ndrejtësia e sakrificat, për këta si më paraqitet gjëndia kanë qën të dëmshme pse kanë haruar çkan prediku me programe e trakte popullit. Këta duan gjithë çka të ju dedikohet këtyre dhe Shqipëria tjet pronë e tyre, asë një njeri të mos ket të ndrejtë të ju kërkojë llogari. Unë shokë të dashur siç ju e dini ç’do një munimë t’onën ja kamë detikuar Atdheut dhe popullit që ka dhë(në) kontributin me gjak e sakrifica të pa llogaritura pse atij i meriton dhe jo atyre që dergjen në kolltukët e Daitit mirë, pra në këtë mënyr dikujt s’i pëlqen. Unë e kamë dijtur dhe gjithë (m)onë jua kamë njoftu, por nërgjegjia ime s’më lejonte të bënesha ropë i nonjij për me siguru interesat e mia private, pse sakrificat dhe munimet e mia me gjith shokë velenin vetëm të shkonin si kanë shkuar në favor të nacionalitetit shqiptar. Për këtë unë jamë i kënaqur qoftë të jetoj dhe me lypie por populli do e vleftësojë qëndrimin t’onë.

Balli Kombëtar i parë nga brenda dhe një letër e rrallë
Letra

Për të fitu simpathin e atyre që njohin veten se janë njeres të mëdhenj në Shqipni duhet me pasë këto çilësi: Të jeshë pasunikë me vetur lluksë e me takeme aristokrate të dishë mir poker e tapllamara. Nryshe tjeshë dallkaut peqe lepe të beçë detin fushë e tjera që unë skam asë një nga këto veçë punë e luft.

Më falni se ju bezdisa tani po e mbledhë shkurt:

Aty vjen Ismail Hakiu si komandant bie me vehte 200000 dyqin mij fr shqi. janë të destinuara për nevoja të ushtrisë atjeshme. Do ju paguhet një rogë paralel me të drejtat e gradave që neve kemi propozu për çdo njeri si oficer, Nënoficer dhe gradimet e ushtar. Juve paraqitni ... [fjalë e palexueshme- M.K.] dhe merrni rogat. Si do të veproni këtej e tutje unë sdi se ju këshilloj vetëm ju thom se për me fitu të drejtat tuajë duhet të jeni të bashkuar me një harmoni për me i dal për zot vetes dhe të shkoni shëmëlli është mirë me popull. Bataloni Tare Kalo dhe fuqitë e Gjinokastrës të tjera të varen nga Komanda e tyre pa pasur nevoj të hiqen nga hun(d)a prej atyre që skano djersitur kurë për këtë Atdhe.

Gjithë shokëve shumë të fala me shëndet

Juj

Ismail Golemi”

***

©Copyright Vox News

Ky artikull i historianit Marenglen Kasmi është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 



Video