Vox News boton për herë të parë për organizimin e Gestapo-s në Shqipëri gjatë pushtimit gjerman 1943-1944. Historiku i Gestapo-s në Shqipëri është hartuar nga ish-sekretarja e gjeneralit-SS Fitzthum, Elsa Koch dhe ish-oficeri i Gestapo-s në Shqipëri Helmuth Münze. Të dy u kapën rob nga partizanët shqiptarë dhe vuajtën shumë vite si robër lufte në burgjet shqiptare. Dorëshkrimi origjinal gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë. Materiali i mëposhtëm është shkruar ekskluzivisht për Voxnews.al nga historiani i njohur Marenglen Kasmi...
***
Gestapo (Geheim Staatspolizei – Policia e Fshehtë e Shtetit) e filloi aktivitetin e saj në Shqipëri që para pushtimit italian të Shqipërisë. Për këtë qëllim, ajo dërgoi disa agjentë të saj në Shqipëri, me detyrë mbledhjen e informacioneve politike. Të gjithë këta agjentë qëndronin në bashkëpunim të ngushtë me qendrën e Gestapo-s në Berlin. I pari u dërgua në Shqipëri von Scheiger, kohë para se italianët të pushtonin Shqipërinë. Më pas u dërguan Hausding-u dhe Müller-i. Müller-i ishte maskuar si prift ortodoks dhe gjatë pushtimit italian shërbente në zonën e Korçës dhe mundohej të fitonte ndikim në qarqet shqiptare gjermanofile.
Pas kapitullimit të Italisë trupa gjermane pushtuan Shqipërinë, e cila ju nënshtrua të njëjtit fat si edhe vendeve të tjera të pushtuara nga Gjermania naziste, ku në rendin e ditës ishin vrasjet e organizuara nga Gestapo-ja.
Përgjatë muajit shtator 1943 u krijuan në Tiranë zyra e gjeneralit-SS Fitzthum dhe zyra e Komandës për Jashtë e Shërbimit të Sigurimit (Sicherheitsdienst –SD). Zyra e Fitzthum-it u emërtua “Përfaqësuesi i Drejtuesit SS të Rajhut pranë Përfaqësuesit të Plotfuqishëm të Rajhut për Shqipërinë”. Kjo zyrë varej direkt nga Himmler-i dhe ishte po ashtu në varësi të Përfaqësuesit të Plotfuqishëm të Rajhut, ministrit Neubacher, që e kishte qendrën në Beograd. Kjo do të thotë që, gjithë urdhrat që kishin të bënin me çështje policore gjenerali Fitzthum i merrte nga Himmler-i ose Kaltenbrunner-i dhe udhëzimet politike i merrte nga Neubacher-i.
Detyra e gjeneralmajorit SS Fitzthum ishte bashkëpunimi i ngushtë me qeverinë shqiptare dhe strukturat e policisë dhe xhandarmërisë, të cilat ishin një vegël në duart e nazistëve gjermanë. Po ashtu, një domosdoshmëri ishte edhe bashkëpunimi me legatën gjermane. Lidhja ndërmjet legatës gjermane në Tiranë dhe Fitzthum-it realizohej nga von Scheiger-i. Si rezultat i këtij bashkëpunimi merreshin vendimet se çfarë masash dhe politike duhej të ndiqej në Shqipëri.
Për realizimin me sukses të gjithë masave dhe politikave që duhet të ndërmerreshin në vendet e pushtuara, sikurse edhe në Shqipëri, u ngritën komandat e Jashtme SD. Këto komanda ishin hallka ekzekutive e Gestapo-s dhe ishin të përhapura në çdo qytet dhe përbëheshin kryesisht nga gjashtë sektorë, që vareshin nga shtabi i komandës.
Detyrat e Komandës së Jashtme –SD për Shqipërinë
Detyrat e kësaj komande SD për Shqipërinë ishin organizimi i kryengritjeve ndaj forcave partizane si edhe shkatërrimi dhe dobësimi i tyre si edhe marrja dhe vlerësimi i raportimeve të njerëzve të besuar (agjentëve) mbi aktivitetin politik të personave të rëndësishëm, mbi sabotimin ekonomik etj. Struktura e kësaj komande ishte si më poshtë:
Sektori i Parë, ose ai i Personelit kishte për detyrë të merrej me të gjitha çështjet e personelit të pjesëtarëve të këtij shërbimi si edhe të personave të besuar, pra agjentëve shqiptarë që punonin për gjermanët. Sektori i dytë ishte Sektori Ekonomik kishte për detyrë të organizonte dhe furnizonte me materialet e nevojshme gjithë trupën SD, duk përfshirë edhe vullnetarët me kombësi të tjera që u shërbenin gjermanëve si edhe agjentët vendas të SD.
Një sektor i rëndësishëm ishte ai i Propagandës, ose ndryshe sektori i tretë. Ky sektor bashkëpunonte ngushtë me Ministrinë e Propagandës në Berlin dhe varej direkt prek kësaj ministrie. Sektori drejtohej nga Dr. Rudolph Vogel, i cili pas lufte do të bëhej një personalitet i lartë politik në Gjermaninë Perëndimore. Ky sektor përgatiste politikisht gjithë pjesëtarët e trupës SD. Po ashtu, ai kishte për detyrë që nëpërmjet rrjetit të personave të besuar, agjentëve, të dekompozonte botëkuptimin politik të armikut në gjithë qytetet dhe fshatrat shqiptare si dhe të godiste interesat etnologjike nëpërmjet manipulimit të mentalitetit të popullsisë vendase. Në këtë sektor bënte pjesë edhe kompania e propagandës, e cila komandohej nga togeri Schäffer.
Jo më pak i rëndësishëm ishte edhe sektori i katërt, Sektori Gjyqësor. Ai merrej me gjithë dënimet e shqiptarëve që arrestoheshin. Po ashtu, ky sektor vendoste me gjyq ose pa gjyq për dërgimet në kampet e përqendrimit ose për burgosjet politike. Ky sektor përdorte në masë torturat çnjerëzore ndaj personave të arrestuar, me qëllim përfitimin e informacioneve prej tyre.
Sektori i pestë ishte për Ndërlidhjen. Ai përbëhej nga shërbimi radist, shërbimi telegrafist dhe ai telefonik. Në Tiranë ishte instaluar ndërlidhja me radio me Beogradin, ku ishte edhe Zyra Qendrore e Sigurimit si edhe me zyrat vartëse SD që ishin të shpërndara në terren.
Sektori për Kujdesin e Njerëzve të Besuar, agjentëve trajtohej në mënyrë të veçantë sepse suksesi i punës agjenturore varej pikërisht nga cilësia e informacionit që sillnin agjentët dhe nga aftësitë e tyre. Shqiptarët që tërhiqeshin në bashkëpunim nga Gestapo-ja i nënshtroheshin një instruktazhi ideologjik dhe praktik, për t’i shndërruar ata në nazistë të bindur, në mënyrë që ata të ishin në gjendje të spiunonin bashkatdhetarët e tyre. Këta ishin ata elementë të cilët nëpërmjet korruptimit dhe krijimit të përparësive materiale mund të fitoheshin lehtë për bashkëpunim. Ata nuk gëzonin ndonjë opinion të mirë në popull. Po ashtu, ata nuk u stërvitën kushedi për çështje spiunazhi, por u vlerësua si më e rëndësishme që nga radhët e armiqve, të fitoheshin miq. Ndaj tyre përdoreshin të gjitha metodat e mundshme, për t’i kthyer ata në mbështetës fanatikë të Nacionalsocializmit. Përvoja do të tregonte se këta njerëz shërbyen me besnikëri dhe puna e tyre u konsiderua si tepër e vlefshme nga gjermanët. Agjentët më të aftë u instruktuan edhe në përdorimin e radiove të ndërlidhjes si edhe në përdorimin e bojërave të padukshme të shkrimit. Pasi trajnimit, ata viheshin në shërbim të zyrave vendore të kësaj komande, pra nëpër qytetet e Shqipërisë, ku ata mund të drejtonin rrjetin e agjentëve dhe të raportonin në mënyrë të pavarur.
Agjentët SD zakonisht mbanin poste të rëndësishme publike dhe civile si në media, radio, ekonomi, transport etj. Në kafenetë e qyteteve u instaluan mikrofona tepër të ndjeshëm, me qëllim përgjimin e bisedave të lirshme të qytetarëve, siç ndodh rëndom në kafene. Po ashtu, agjentë futeshin edhe në radhët e stafit të hoteleve, me qëllim mbajtjen nën kontroll të udhëtarëve etj.
Duke pasur parasysh që Shërbimi i Sigurimit – SD ishte i orientuar kryesisht në punën e tij te bashkëpunëtorët, agjentët vendas, u krijua edhe sektori i gjashtë, me emrin Kujdesi ndaj Personave të Besuar, i cili zgjidhte gjithë çështjet ekonomike të nevojshme. Po ashtu, ky sektor u bënte edhe instruktazhin politik agjentëve të tij. Ai merrej drejtpërdrejtë me rrjetin e agjenturës së ngritur në vendin e pushtuar duke rekrutuar agjentë për të mbledhur informacione të nevojshme për pushtuesit gjermanë.
Shërbimi i Sigurimit – SD kishte edhe Zyra Terreni. Këto zyra ishin të shpërndara nëpër qytete të tjera dhe vareshin drejtpërsëdrejti nga Shërbimi i Sigurimit –SD, i cili e kishte qendrën e tij në kryeqytet, pra në Tiranë. Ata kishin për detyre të transmetonin te komanda eprore informacionet e agjentëve, të merrnin dhe jepnin më tej informacionet e ardhura nga pikat e raportimit, të mbanin kontakt me radio me komandën eprore si edhe me strukturat vartëse, të kujdeseshin dhe drejtonin agjentët e tyre.
Gjeneralmajori SS Fitzthum ndihmohej nga koloneli Alfons Böttger i cili ishte shefi i shtabit të Gestapo-s në Tiranë. Ai qëndroi pak muaj në këtë detyrë sepse në janar 1944 u transferua në Königsberg, Gjermani. Në vend të tij erdhi Kurt Wirth. Sektori ekonomik drejtohej nga kapiteni Sieberth. Në vartësi të tij ishin tetari Deltgen, rreshteri Weiss që ishte shef llogarie dhe shefi i personelit civil të shërbimit Widmaier. Sektori Gjyqësor drejtohej nga kapiteni SS Kurt Wirth ndërsa Sektori i Transportit komandohej nga kapiteni i policisë Walter Lindmeier. Sektori i rëndësishëm i personave të besuar, pra agjentëve përbëhej nga majori i policisë Zimmermann, kapiteni i xhandarmërisë Schönemann dhe kapiteni i policisë Göller. Gestapo-ja i mbante lidhjet me Ministrinë e Brendshme nëpërmjet majorit SS Neurath. Ndërsa kapiteni Göller mbante lidhje me grupet nacionaliste të Elbasanit. Ai kishte miqësi me Alush Leshanakun. Me shume mundësi, Göller kishte hyrë në lidhje edhe me oficerët ndërlidhës britanikë. Schönemman mbulonte zonën në jug të Beratit dhe largohej për javë të tëra nga Tirana ndërsa majori Zimmermann shkoi disa herë në Mirditë, ku takohej me Gjon Markagjonin dhe mbështetësit e tij. Sipas burimit arkivor që po citojmë, Markagjoni ishte bashkëpunëtor i shefit të një zyre terreni SD, me emrin Hans.
Kapiteni i Policisë Sepp Krailer ishte shefi i Sektorit të Ndërlidhjes. Ai kishte nën komandë një radist dhe një telegrafist, të cilët mbanin lidhje me Himmler-in dhe Zyrën Qendrore të Sigurimit në Berlin dhe Neubacher-in në Beograd. Kapiteni Krailer ishte përgjegjës edh për mirëmbajtjen e aparatit të përgjimit që ndodhej në dhomën e gjeneralit Fitzthum, me të cilin ai kishte mundësinë të përgjonte personalisht gjithë bisedat dhe fjalimet e qeverisë shqiptare. Mesa duket, në sallën e mbledhjeve të qeverisë shqiptare, Gestapo-ja kishte instaluar mikrofona të fshehtë.
Shefi i Sektorit të Armatimit dhe Aparaturës ishte majori i policisë Fischer, i cili ishte përgjegjës për shpërndarjen e armëve dhe municioneve për divizionet SS-e. Ndërsa përkthyes i Gestapo-s ishte Lekë Marashi, i cili mbante lidhjet me agjentët e Gestapo-s dhe shoqëronte Fitzthum-in gjatë udhëtimeve të tij zyrtare.
Raportet që hartonin njerëzit e besuar të Gestapo-s, pra agjentët shqiptarë skiconin situatën e përgjithshme politike të Shqipërisë. Bazuar mbi këto raporte Gestapo-ja urdhëronte veprimin e organeve të saj ekzekutive, siç ishin Xhandarmëria, Policia e rendit, formacionet e Armës-SS dhe Komanda SD. Shef i Xhandarmërisë dhe Policisë ishte nënkoloneli i policisë Peter. Ai ishte përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në Shqipëri dhe ndihmohej në realizimin e kësja detyre nga policia shqiptare. Po ashtu, ai kishte në varësi edhe togerin Lane dhe majorët Dahnert dhe Endrös, të cilët ishin oficerë ndërlidhës të Gestapo-s me komandantin e policisë shqiptare, Kolgjini.
Pararendësi i njësisë Hausding (komanda e jashtme SD) ishte Ditges, i cili qëndroi pak kohë në Shqipëri. Në mes të muajit janar 1944 ai u largua për në Gjermani dhe u zëvendësua nga kapiteni Hausding. Kjo komandë e jashtme kishte njëmbëdhjetë zyra terreni (Tiranë, Shkodër, Kukës, Elbasan, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Prizren, Strugë, Mitrovicë dhe Korçë). Këto zyra kishin të ashtuquajturat pika raportimi, të cilat quheshin ndryshe e dhe sytë e komandës së jashtme SD. Prej këtyre pikash raportimi transmetoheshin me radio gjithë raportet e ardhura nga bashkëpunëtorët. Zyra e terrenit e Shkodrës mbante lidhje me Gjon Marka Gjonin dhe Patër Anton Harapin si edhe me djalin e Bajraktarit të Shoshit.
Në përgjithësi mund të themi se zyrat e terrenit dhe pikat e raportimit ishin organi ekzekutiv i Gestapo-s dhe krahu i djathtë i Fitzthum-it.
Një trupë speciale që bashkëpunonte ngushtë me Fitzthum ishte edhe “komanda speciale Lange”, e cila më vonë do të drejtohej nga kapiteni Eggers. Në këtë trupë shërbeu për njëfarë kohe edhe një emigrant rus, me emrin Podolsky. Detyrat e kësaj komande ishin armatosja dhe përgatitja për kryengritje e forcave të Gjon Marka Gjonit. Kjo komandë shoqërohej edhe nga nëntogeri Janko, i cili ishte një njohës i mirë i gjuhës dhe traditës shqiptare.
Detyrat e zyrës së Fitzthum-it në Shqipëri ishin të shumëllojshme duke përfshirë çështjet ekonomike si p.sh aftësitë prodhuese të Shqipërisë, nxjerrja e naftës dhe nënprodukteve të saj etj. Zyra e tij ishte e vendosur në Hotel Kontinental në Tiranë. Sa i përket çështjeve të propagandës, zyra e Fitzthum-it bashkëpunonte me komandantin e kompanisë së propagandës togerin Schäfer si edhe me përfaqësuesin e Ministrisë së Propagandës në Tiranë, Dr. Rudolph Vogel dhe një farë Forster, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Berlini. Sigurisht që për të ruajtur të unifikuar linjën politikës së jashtme, nëpërmjet von Scheiger-it mbaheshin lidhje shumë të forta me legatën gjermane. Sikurse e theksuam edhe më sipër, von Scheiger-i ishte dërguar nga Gestapo-ja në Shqipëri kohë me parë se të fillonte lufta. Kësisoj, pas rikthimit të tij në Shqipëri në shtator 1943, ai krijoi menjëherë rrjetin e agjentëve të Gestapo-s dhe si pasojë ishte në gjendje të hartonte raporte të rëndësishme mbi situatën politike në Shqipëri.
Nëpërmjet oficerëve gjermanë ndërlidhës të sipërpërmendur u arrit bashkëpunimi me gjeneral Preng Previzin, gjeneral Mürdazc-in, një ish oficer austriak që shërbente në ushtrinë shqiptare qysh prej vitit 1921, Mit’hat Frashërin, Vizhdan Riselinë, Mehdi Bej Frashërin. Po ashtu, një rol mjaft të rëndësishëm luante edhe kleri katolik, sidomos në Veri të Shqipërisë, i cili përdorej nga gjermanët për të shuar synimet nacionaliste të ushtrisë partizane.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.