FOTO: Stalini mysafir në oborrin e Mehmet Shehut

31 January 2022, 07:00Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

FOTO: Stalini mysafir në oborrin e Mehmet Shehut

Statujat e dy udhëheqësve të Kremlinit vazhdojnë të lartësohen në Tiranë, madje në zemër të saj, në ish-bllokun komunist.

Pasi u hoqën në fshehtësi dhe natën tridhjetë e ca vjet më parë, statujat e Leninit dhe Stalinit që ngriheshin, i pari para Galerisë së Arteve dhe i dyti përballë tij në parkun Rinia, u vendosën në një aneks a depo të Galerisë.

Heqja e tyre u bë me urdhër të ish-udhëheqjes komuniste të kohës.

Statujat u hoqën me kujdes dhe nuk u dëmtuan sikurse ndodhi me statujat e Enver Hoxhës pak më vonë.

Vitin e kaluar statujat e Leninit dhe Stalinit u rishfaqën sërish, jo më si ish-udhëheqës të adhuruar, por si atraksion turistik.

Qeveria ua gjeti dhe një vend të përshtatshëm dhe të sigurt: në oborrin-kopsht të vilës ku banonte dikur ish-Kryeministri Mehmet Shehu.

Prej më shumë se 30 vjet ajo vilë shërben si rezidencë qeveritare, ku pushojnë një natë a disa net drejtues shtetesh nga bota.

Statujat nuk ngrihen mbi piedestale të larta si dikur, por mbi një bazament thuajse rrafsh me tokën.

Përballë statujës së Stalinit është vendosur dhe një automjet tip gaz, nga ata që përdorte dikur Ministria e Brendshme për të arrestuar armiqtë e regjimit.

Një lexues i VOX News që na e mundësoi këtë foto ku është fiksuar vetëm Stalini, na tha se Lenini ndodhet përballë tij, por nuk duket në foton më lart.

 

e.k/voxnews


Video