Në verën e vitit 1978, një grup gjeologësh sovjetikë që po eksploronin Siberinë Jugore zbuluan diçka më të rrallë se diamantet. Teksa kërkonin një vend për uljen e helikopterit në shpatet e thepisura të maleve Sajan Perëndimor, piloti vuri re diçka të pazakontë, një kopsht i punuar me dorë, rreth 240 kilometra larg vendbanimit më të afërt. Kur u afrua më shumë, pa edhe një shtëpi druri. Njerëz nuk dukeshin, por ishte e qartë se dikush po kujdesej për tokën, shkruan The Guardian.
Zbulimi ishte tronditës. Zona konsiderohej prej dekadash tepër e izoluar për banim njerëzor. Dhjetë milje më larg, gjeologët ngritën kampin dhe vendosën të shkonin drejt kësaj banese misterioze. Me vete morën dhurata dhe një pistoletë, për çdo rast.
Atje u pritën nga një burrë i moshuar, i parregullt, i veshur me copa pëlhure të arnura. Quhej Karp Osipoviç Lykov, kryefamiljar. Brenda kasolles së errët e të ngushtë, dy vajzat e rritura, Natalia dhe Agafia, qanin dhe luteshin. Dy djemtë, Savin dhe Dmitry, jetonin disa kilometra më larg, pranë lumit.
Shpejt u bë e qartë se askush nga kjo familje nuk kishte pasur kontakt me botën e jashtme prej dekadash. Asnjë nga fëmijët e Lykovit nuk kishte parë ndonjëherë bukë.
Kur gjeologët u ofruan një bukë dhe pak reçel, ata refuzuan. “Nuk na lejohet”, thanë, një frazë kjo, që do të përsëritej shpesh. Gjuha e vajzave ishte e vështirë për t’u kuptuar: fjalor arkaik dhe një ritëm i çuditshëm, thuajse këndues.
Familja Lykov i përkiste Besimtarëve të Vjetër, një rrymë e shkëputur nga Kisha Ortodokse Ruse që daton nga shekulli XVII. Ata u formuan pas reformave liturgjike të Patriarkut Nikon, të cilat ndryshuan rituale thelbësore, përfshirë mënyrën e kryqëzimit dhe drejtshkrimin e emrit të Jezusit, ndryshime që për Besimtarët e Vjetër përbënin tradhti ndaj besimit të vërtetë.
Përndjekja ndaj tyre ishte brutale: djegie të gjalla, burgosje, tortura. Disa komunitete zgjodhën vetëdjegien kolektive. Të tjerë u arratisën në pyje, duke besuar se izolimi ishte forma më e lartë e shenjtërisë. Në Rusi, shkretëtira biblike u zëvendësua nga pylli.

Familja Lykov jetoi fillimisht në një fshat të izoluar në rajonin Altai, por në vitet ’30, me forcimin e pushtetit sovjetik, u detyrua të largohej gjithnjë e më thellë në tajgë. Autoritetet kërkonin të kontrollonin komunitetet fetare, ndërsa fëmijët e tyre konsideroheshin “për t’u shpëtuar” nga izolimi.
Në vitin 1934, Lykovët u zhdukën plotësisht nga civilizimi. Për 44 vjet, ata mbijetuan me bujqësi primitive, gjueti dhe mbledhje frutash të egra. Në vitet e urisë, hanin barishte, lëvore pemësh, këpucë lëkure. Në vitin 1961, një ngricë shkatërroi të korrat. Nëna e familjes, Akulina, vdiq nga uria. Kur një kallam i vetëm thekre mbin vitin pasardhës, ata e quajtën mrekulli hyjnore.
Kur u zbuluan më 1978, familja ende mallkonte Patriarkun Nikon dhe Pjetrin e Madh, të cilin Karp Lykov e quante “antikrisht në formë njeriu”. Luftërat botërore, për të, ishin pasojë e mëkateve të Perëndimit.
Jeta e tyre ishte thuajse parahistorike: Agafia nuk kishte parë kurrë rrotë, zjarri ndizej me strall, këpucët ishin prej lëvore betule, drita vinte vetëm nga dielli ose pishtarët. Bibla e tyre ishte nxirë nga tymi, por fëmijët kishin mësuar shkrim-leximin në sllavishten e vjetër kishtare, duke shkruar mbi lëvore pemësh.
Kontakti me botën e jashtme solli edhe tragjedi. Në vitin 1981, Dmitry, Savin dhe Natalia vdiqën. Dmitry nga pneumonia; dy të tjerët, me gjasë, nga sëmundje të sjella pa dashje nga vizitorët. Mbajtja e rregullit “nuk na lejohet” për ndihmën mjekësore u tregua fatale.

Mbetën vetëm Karp dhe Agafia. Pas vdekjes së të atit, Agafia zgjodhi të qëndronte në tajgë.
Historia e Lykovëve u bë e njohur falë gazetarit Vasily Peskov, i cili nga viti 1982 e vizitoi familjen rregullisht dhe botoi një libër të famshëm për ta. Për publikun rus, ata u shndërruan në një simbol: një kapsulë kohe, dëshmi e një Rusie të humbur, të paprekur nga stalinizmi, luftërat dhe modernizimi i dhunshëm.
Me kalimin e viteve, izolimi absolut u bë i pamundur. Agafia pranoi ndihmë, rroba të reja, vegla, madje edhe një telefon emergjence. Në vitin 2021, me mbështetjen e oligarkut Oleg Deripaska, ajo u zhvendos në një kasolle të re. Sot ndihmohet nga një murgeshë e re besimtare dhe nga shërbimet e parkut natyror ku jeton.

Edhe pse disa zyrtarë ankohen për koston e mirëmbajtjes së saj, Agafia Lykova konsiderohet thesar kombëtar, anëtarja e fundit e një bote që po zhduket.
Ironikisht, gruaja që jetoi pa bukë dhe pa rrota është sot një figurë virale në YouTube. Historia e saj ushqen një fantazi të fortë moderne: dëshirën për vetë-mjaftueshmëri, për shpëtim nga kaosi i botës bashkëkohore. Por fundi i saj na kujton se mbijetesa e vetmuar në tajgë nuk është mit heroik është sakrificë e pafundme njerëzore.