Në brigjet e Bretanjës, përballë qytetit francez Saint-Malo, ndodhet një ishull i vogël prej vetëm 50 hektarësh që mban një rekord të frikshëm historik.
Cézembre nuk është thjesht një pikë turistike, por vendi që konsiderohet si më i bombarduari në planet për metër katror.

Një bunker i pakalueshëm
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky ishull u shndërrua në një kështjellë të vërtetë nëntokësore si pjesë e “Murit të Atlantikut”. Me tre nivele tunelesh dhe artileri të rëndë, ai kontrollonte çdo lëvizje në portin e Saint-Malo.
Kur forcat aleate avancuan në gusht të vitit 1944, garnizoni i ishullit refuzoi kapitullimin, duke nxitur një nga sulmet më intensive në historinë ushtarake.
120.000 ton municione
Për të thyer qëndresën, mbi këtë sipërfaqe të vogël u hodhën rreth 120.000 ton municione ajrore dhe detare. Intensiteti ishte aq i lartë, sa thuhet se çdo metër katror i ishullit u godit të paktën një herë. Ky operacion shënoi edhe përdorimin e parë të napalmit në Europë, një xhelatinë djegëse që e ktheu në shkretëtirë peizazhin dhe uli lartësinë fizike të ishullit.

Një rrezik që vazhdon
Garnizoni, i përbërë nga ushtarë gjermanë dhe 64 marinarë italianë, u dorëzua më 2 shtator 1944, vetëm pasi mbetën pa ujë të pijshëm.
Edhe pse kanë kaluar dekada, Cézembre mbetet pjesërisht i ndaluar për turistët.

Pjesa më e madhe e tij është e rrethuar me tela me gjemba për shkak të mijëra municioneve të pashpërthyera që ndodhen ende nën tokë, duke e bërë atë një dëshmi të gjallë dhe të rrezikshme të tmerreve të luftës.