GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për shtyrjen e seancës, gjyqi vijon pa praninë e kryebashkiakut

17 Nëntor 2026, 12:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për shtyrjen e seancës,

Gjykata e Posaçme ka vendosur të mos shtyjë seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke vendosur që procesi të vijojë pa praninë e tij.

Vendimi u mor pasi trupi gjykues shqyrtoi pretendimet e Veliajt lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe kërkesën për shtyrjen e seancës, për shkak të mungesës së dokumentacionit mjekësor dhe nevojës për ndërhyrje kirurgjikale.

Gjatë diskutimeve, avokati Plarent Ndreca sqaroi se kërkesat e mëparshme për pjesëmarrje në aktivitete fizike ose përmes videokonferencës ishin bërë përpara situatës aktuale shëndetësore.

Avokati Plarent Ndreca u shpreh: “Kërkesat kanë qenë për të marrë pjesë fizikisht ose me videokonferencë, para kësaj situate”.

Pas shqyrtimit të pretendimeve, gjykata vlerësoi se ato nuk janë provuar dhe vendosi vijimin e procesit gjyqësor pa praninë e të pandehurit.

Në vendimin e saj, gjykata deklaroi: “Pas deklaratës së të pandehurit, gjykata konstaton se pretendimi i të pandehurit mbetet i paprovuar. Gjykata vendos të vijojë këtë seancë pa praninë e tij”.

Gjyqi  vijoi me fazën e shqyrtimit të kërkesave paraprake. Nga pesë kërkesat e paraqitura nga Veliaj, gjykata nuk ishte shprehur ende për njërën prej tyre, që lidhet me vënien në dispozicion të kallëzimeve të Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit.

Gjatë seancës, prokurori i SPAK sqaroi se kallëzimi i dytë, që lidhet me Nasta Pëllumbin, kishte mbërritur përmes postës zyrtare.

 

Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca kërkoi që mbrojtjes t’i viheshin në dispozicion edhe të dhënat mbi mënyrën e administrimit të kallëzimeve. “Kemi kërkuar mënyrën sesi janë administruar këto kallëzime, zarfet me vulat përkatëse, që ne të bëjmë verifikimet tona”, deklaroi Ndreca.

Në përgjigje, prokurori i SPAK bëri të ditur se institucioni kishte përgatitur një kopje të kallëzimit penal, si dhe të zarfeve me të cilat kallëzimet kishin mbërritur në Prokurorinë e Posaçme.

“SPAK ka përgatitur një kopje të kallëzimit penal dhe zarfet që kanë mbërritur në SPAK”, u shpreh prokurori, duke i dorëzuar gjykatës kopjet e zarfeve.


Video