Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burg nga Gjykata Speciale në Hagë, në kuadër të çështjes për pengim të drejtësisë.
Gjatë leximit të përmbledhjes së aktgjykimit ndaj Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij, gjykatësi Christopher Gosnell deklaroi se, sipas aktakuzës, ish-presidenti kishte organizuar tri grupe, në të cilat përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, gjatë vizitave të tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Sipas gjykatësit, në këtë proces janë pranuar 241 prova materiale të paraqitura nga Prokuroria.
Mes provave të administruara janë edhe audioincizimet e bisedave mes Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tij gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Çështja lidhet me akuzat për pengim të drejtësisë, ndërsa Gjykata Speciale ka shqyrtuar provat e paraqitura nga Prokuroria në kuadër të këtij procesi gjyqësor.