Rama përpara Klodian Brahos, si e shpalli kryeministri që në Asamblenë e PS dërgimin e Ballukut për gjykim

16 Nëntor 2026, 23:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama përpara Klodian Brahos, si e shpalli kryeministri që në

Deklarata e sotme e kreut të SPAK, Klodian Braho, i cili u komunikoi gazetarëve se çështja e Belinda Ballukut po i dorëzohej sot GJKKO-së për gjykim në mbyllje të hetimeve, vjen në një kohë kur kryeministri Edi Rama e kishte njoftuar këtë zhvillim qysh prej së shtunës, më 14 nëntor.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke folur për këtë çështje, Edi Rama u shpreh:

“Në rastin e Belinda Ballukut çfarë kam thënë? Kam thënë nuk ka arsye për të ngritur ne, se erdhi puna tek ne, jo tek mendimi im apo i joni për çështjen se kjo s’është çështja jonë. Por erdhi puna tek ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një tjetër koleg pa gjyq kur hetimet vazhdojnë. Sot e vërteta është aty e gjitha: hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra nuk ishte pengesë, ishte pjesë e një qasjeje të cilën unë personalisht dhe ne të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj.”

Ky rend kronologjik mes fjalës së kryeministrit të shtunën dhe njoftimit të kreut të SPAK të hënën ngre disa pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon informimi institucional dhe pavarësia e SPAK.  

Së pari, shtrohet pyetja se nga e dinte Edi Rama dhe se cilat kanë qenë kanalet e dijenisë së kreut të qeverisë që i mundësuan atij të deklaronte se hetimet ishin kryer dhe çështja kishte shkuar në gjyq përpara se SPAK ta zyrtarizonte këtë hap.

Së dyti, mbetet e paqartë se përse Prokuroria e Posaçme zgjodhi të dalë me një njoftim publik vetëm sot dhe jo në kohë reale, në momentin kur fati procedural i dosjes kishte filluar të komentohej publikisht nga kryetari i ekzekutivit.

Nga ana tjetër, në kontekstin e deklaratave të tij, kryeministri e ka lidhur këtë qëndrim me parimin e ndarjes së pushteteve dhe me debatin mbi masat e paraburgimit pa gjyq, duke argumentuar se mosdhënia e autorizimit politik për arrestim nuk i ka penguar organet e drejtësisë të vijojnë dhe të mbyllin hetimet./VNA


Video