Të vërtetat e raporteve që s’i pëlqejnë Edi Ramës

3 May 2022, 18:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Të vërtetat e raporteve që s’i pëlqejnë Edi
Edi Rama, kryeministër

Dy raporte ndërkombëtare brenda muajit, që kritikojnë me doza të forta qeverinë e Edi Ramës dhe qeverisjen e tij janë kritikuar nga Kryeministri. I pari ishte raporti i Departamentit të Shtetit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër korrupsionit, i dyti raporti vjetor i ‘Reporterëve pa Kufij’.

Në të dyja raportet, panorama që i bëhet situatës në Shqipëri nuk është aq rozë sa e paraqet Kryeministri dhe enturazhi i tij mediatik.

Por, Rama e cilësoi raportin e DASh si të vjetëruar dhe copy-paste nga raportet e viteve të kaluara.

Sipas Kryeministrit, DASh nuk paraqiste në raport arritjet e qeverisë që vetë ja kishte njohur përgjatë 2021-t. Sa për raportin e ‘Reporterëve pa Kufij’, ku thuhet se Shqipëria ka rënë me 20 vende sa i takon lirisë së medias, duke u renditur në fund, Rama e quan atë ‘tallje’ dhe ‘të pavërtetë’.

Por, nga anon e vërteta?

Raporti flet për intimidim të mediave dhe gazetarëve dhe dhuna nuk është e vetmja formë e intimidimit të gazetarëve, megjithëse ka pasur denoncime sporadike nga ana e gazetarëve për ushtrim dhune nga ana e policisë për t’i penguar që të ushtrojnë detyrat e tyre.

Intimidimi në forma financiare është ai që ka dëmtuar lirinë e medias në Shqipëri, më shumë se ai përmes formave të dhunës tradicionale. Si shembull, nëse një gazetar i pavarur kritikon qeverinë, qeverisjen, pronari i medias që mund të ketë një biznes humbet tenderin, koncesionin, apo përfitimin e radhës nga qeveria.

Është e njëjta lloj dhune, por më e rafinuar që ushtronte Berisha ndaj mediave gjatë qeverisjes së tij të dytë. Nëse në qeverisjen e parë, atë të viteve ’90 Berisha u vinte flakën redaksive, rrihte gazetarët dhe pronarët e mediave, në të dytën i mbyste me tatimet çdo ditë te dera.

Sot fatmirësisht nuk digjet më asnjë redaksi, por televizionet më të mëdha të vendit janë kliente te Qeveria, që dikton indirekt censurën e vendosur nga pronarët biznesmenë që kërcënojnë gazetarët me rrogën e bukës së gojës.

Së treti, vitet e fundit ka pasur disa investigime të bujshme të gazetarëve të ndryshëm, që kanë nxjerrë në pah korrupsionin qeverisës. Por, në asnjë rast qeveria dhe organet e drejtësisë nuk kanë vepruar. Veprimet kanë ndodhur vetëm kur bëhet fjalë për ngjarje sporadike që janë të bujshme në publik, por që në thelb mbeten fenomene të izoluara dhe që nuk lidhen me qeverinë, apo qeverisjen e vendit.

Sot, me përjashtim të disa portaleve si nisma gazetarësh, apo që financohen nga donancionet e Bashkimit Europian, apo vendeve partnere, media tjetër është krejtësisht e kontrolluar dhe ushqehet në të njëjtën tryezë me Qeverinë, siç ishte rasti e darkës së iftarit. A e tregon dot njeri një emër të vetëm gazetari kritik me qeverinë në atë darkë? E njëjta gjë vlen edhe për opozitën.

Vërtet sot nuk ka dhunë fizike, as gazetarë të vrarë. Por, nëse do të kishim edhe këto raste, atëherë kot sa të flisnim, jo vetëm për liri mediash, por për media në tërësi në Shqipëri. Sepse dhuna ndaj medias është mjet që përdoret për t’i mbyllur gojën nga diktatorët.

Megjithatë, viktima ka edhe këtu dhe këtu viktimë është fjala e lirë dhe liria e të shprehurit. Vrasja është bërë në bashkëpunim; nga njëra anë ai që e blen median dhe nga ana tjetër media që shitet. Kjo është ajo që thekson edhe raporti i ‘Reporterëve pa Kufij’.

Pastaj janë plagët dhe gangrenat e përhershme të medias në vendin tonë. Gazetarë që punojnë pa kontrata, pa sigurime. Pronari të heq nga puna me një të kërcitur të gishtave, një pjesë e mediave financohet nga bota e krimit.

Të gjitha këto dhe retorika e vazhdueshme e Kryeministrit që shpesh e ka quajtur median ‘kazan’ kanë zhvlerësuar të vërtetën. Sot, nuk ka rëndësi se sa e vërtetë është, se sa fort e thua atë. Ajo nuk ka më asnjë peshë në publik, nëse nuk është ‘e vërtetë’ që buron nga Qeveria, ose klientët e saj.

Qeveria e injoron, drejtësia hesht, publiku është i çoroditur e s’di kë të besojë më parë. Përcjellja e së vërtetës është problemi më i madh i medias. Nuk është i vetmi dhe fajtore në krim është edhe vetë media. Ajo sot është në pikë të hallit. Gazetarët punojnë për interesat e veta, mbi interesin e publikut. Një pjesë janë bërë milionerë me rrogë, ndërsa ata që mbrojnë interesat të fuqishme janë bërë edhe miliarderë. Ky është modeli i gazetarisë që u serviret sot brezit të ri...

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video