"Do shkarkoheni", Rama ndalon takimet e ministrave me biznesmenë në festa dhe bixhoz

3 May 2022, 11:28Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Do shkarkoheni", Rama ndalon takimet e ministrave me biznesmenë
Në foto: Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Rama ka vendosur që ministrave do t’u ndalohet me ligj takimi me biznesmenë. Ata s’mund të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private apo të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës.

Në mënyrë specifike ministrave iu ndalohet bixhozi: Ata nuk duhet të hyjnë në asnjë ambient lojërash fati. Po ashtu ata duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Nëse anëtari i kabinetit do të bëjë një nga këto shkelje, ose duhet të kërkojë ndjesë publike ose do shkarkohet menjëherë nga detyra.

Rregullat e paralajmëruara nga Kryeministri Edi Rama në nisje të mandatit të tretë të qeverisjes, dhe të miratuara në shtator të vitit të shkuar nga Këshilli i Ministrave kanë hyrë në fuqi të premten e 29 prillit.

“Kodi i Ri Etik” lejon takimin me grupe biznesi vetëm në prani të 2 nëpunësve publikë të cilët mbajë minutat e takimeve, identitetin e personave dhe shënojnë në një regjistër të posaçëm çështjet e diskutuara.

Ministrat do të ndalohen tashmë ligjërisht të udhëtojnë me “Bussines Class” brenda Europës, të përdorin sallën VIP të aeroportit apo makinën e punës për familjarët në momentin që nuk janë vetë të pranishëm.

Kryeministri ka ndaluar dhe organizimin e festave për personelin me fondet e buxhetit apo pushimet jashtë vendit. Frekuentimi i bareve dhe restoranteve do të lejohet gjatë pushimeve zyrtare vetëm në rast të eventeve familjare dhe shoqërore, apo aktivitete që lidhen me punën dhe që është marrë leje. Të gjitha dhuratat që marrin ministrat do të përdoren si dekor për zyrën ose të dorëzohen në kryeministri.

Kryeministri Edi Rama në kongresin e Partisë Socialiste mes rreshtave, një fjali e shkurtër e tij u drejtohej deputetëve dhe ministrave që ka në varësi për të mos qenë ‘grykës’ dhe të vendosin pasuri në kurriz të shqiptarëve.

“Në botën tjetër nuk punojnë kartat e kreditit. Në Sharrë më mirë përgatituni që të shkoni siç dilja unë dikur në plazh se asgjë nuk ju dallon nga ata tjerët atje dhe kostumin lëruani djemve... se me burrat e kam”, tha Rama.

Pjesa e fundit e fjalisë nënkupton se Rama po u drejtohej deputetëve burra që janë në radhët e Partisë Socialiste. Mes tyre ka nga ata që kanë hyrë në politikë të pasur, por ka edhe nga ata që janë pasuruar më shumë pas hyrjes në politikë.

Burime të Voxnews.al pohojnë se në Qeveri të gjithë e dinë për një ministër që është kapur me karta krediti të një biznesmeni duke shpenzuar mbi 200 mijë euro dhe të cilit nuk iu dha hapësirë për të folur gjatë Kongresit.

Ai është përfolur këto kohë se do të shkarkohet nga posti. Se kush është ai ministër për këtë, duket se duhet të presim edhe pak ndoshta do ta thotë vetë kryeministri. 

 


Video