Mirela Kumbaro harron detyrën, shndërrohet në ‘blogere’ e qokave të agroturizmave

4 August 2022, 19:36Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mirela Kumbaro harron detyrën, shndërrohet në
Mirela Kumbaro

Rruga për dhënien me koncesion të Butrintit u hap përmes një ligji të miratuar në 2018-n, kohë kur Ministria e Kulturës drejtohej nga Mirela Kumbaro. Ligji u shit prej ministres si një risi në mbrojtjen e kultivimit të trashëgimisë kulturore vendase.

Por, në të vërtetë qëllimi i ligjit duket se ka qenë hapja e shtigjeve për të dhënë koncesione e PPP edhe në këtë sektor dhe katër vite më vonë produkti dihet.

Tani, Kumbaro nuk është më ministre Kulture, por ka marrë në dorë frenat e turizmit dhe bashkë me të edhe të gjithë përgjegjësinë për dhënie e heqje licencash për stacionet e mjeteve motorike detare për qëllime argëtimi.

Çfarë ndodh në terren? Siç ka sjellë Vox News këto ditë nga vëzhgimet e kryera për stacione jo vetëm që nuk bëhet fjalë, por ligji shkelet me të dyja këmbët nën hundën e autoritetetve të Ministrisë së Turizmit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Në të vërtetë, në bregdet dhe kudo ku lëvizin nëpër Shqipëri, turistët, qofshin të huaj, qofshin shqiptarë bien pak, ose aspak në kontakt me Ministrinë e Turizmit, jo më të ndjehet pesha e kësaj ministrie në bregdet.

Përgjegjësia e Mirela Kumbaros shkon edhe më tej, pasi veç stacioneve të mjeteve motorike ujore, ajo ka në dorë edhe vendosjen e distancës së këtyre stacioneve me pushuesit në bregdet, rrethimin me perimetër sigurie me sinjalistikën përkatëse me tapat mbrojtëse dhe vëzhgimin e zbatimit të këtyre rregullave.

Nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë dhe në këtë det të tërë zullumesh e abuzimesh është zhytur ministrja e Turizmit, që ashtu si ministri Bledi Çuçi më herët u përpoq ta kalojë në heshtje tragjedinë e Himarës, me shpresën se topi i përgjegjësisë nuk do të binte mbi të.

Mirela Kumbaros iu deshën më shumë se 24 orë që të kuptonte se ngjarja e Himarës ishte jo e rëndë, por ‘tepër e rëndë’. Në të njëjtin reagim mundohet që përgjegjësinë ta kalojë plotësisht individuale.

“...një engjëll nuk është më mes nesh për shkak të marrëzisë së një njeriu që theu çdo ligj, çdo rregull e çdo normë me pasoja tragjikisht të pakthyeshme!”, shkruan ajo, duke kërkuar si gjithë të tjerët drejtësi.

Drejtësia më së pari duhet të bjerë mbi Arjan Tasen, por ajo duhet të bjerë edhe mbi Mirela Kumbaron, ministren që me portofolin gjithnjë e më të zgjeruar të turizmit e sheh institucionin që drejton si lopë për të mjelë dhe që i siguron vetëm privilegje, jo përgjegjësi.

Kumbaro e ka konceptuar detyrën e saj më shumë si ‘blogere’ që përmes Instagramit njeh njerëzit me agroturizmet e bujtinat që viziton shpesh, duke harruar detyrën e vërtetë që ka, që fillon që nga promovimi i vendit e deri te garantimi i sigurisë së pushuesve për aq sa ligji e ngarkon me këto përgjegjësi.

Për të dytën s’ka dëgjuar njeri ndonjë platformë apo strategji të hartuar nga Mirela Kumbaro. Për të parën, ka pasur disa nisma para disa vitesh kur turistëve që hynin nëpër pikat kufitare u shpërndaheshin broshura me udhëzimet e sugjerimet përkatëse se çfarë mund të vizitonin e shijonin në vend.

Sot, as këto fletushkat nuk shpërndahen më dhe më shumë promovim të vendit i kanë bërë portalet e rrjetet sociale se sa ministria e Turizmit, në krye të së cilës paguhet nga taksat e qytetarëve ministrja Kumbaro.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video