Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë sërish në konferencë ditën e sotme. Njoftimi për mediat ishte se do të fliste për situatën në Veri të Kosovës, por në fakt thelbi i deklaratës ishte se në krye të ekipit anti korrupsion kishte caktuar Brisida Shehajn. (E ku qëndron problemi këtu?)
Ai tha se Partia e Lirisë nuk do të pushojë gjatë muajit gusht, duke shtuar se do të vijojnë me denoncimet.
Sipas Metës, denoncimet nuk do të jenë vetëm nga selia, por aty “ku ndodh vjedhja”.
Meta akuzoi opozitën e Lulzim Bashës si të korruptuar dhe theksoi se qëllimi i tij kryesor është dekorruptimi (fjalë kjo e shpikur prej tij).
“Përqendrimi ynë është revolucioni antikorrupsion dhe dekorruptimi i vetë opozitës se vetëm një opozitë e vendosur korrupsionin është garanci për një qeverisje me integritet për të ardhmen.
Dekorruptimi i qeverisjes, i shoqërisë, i shtetit prioriteti ynë kryesor, përmes revolucionit antikorrupsion.
Korrupsioni ka instaluar frikën, varfërinë, ka cenuar rëndë dinjitetin e shumë qytetarëve, varësinë e tyre nga grupet kriminale në vend dhe padyshim sa më të varfër të jenë shqiptarët, aq më kollaj e kanë të vënë dorë në zgjedhje dhe votat e shqiptari”, u shpreh Meta
Brisida Shehaj ka qenë një “Bletë Punëtore” në kohën e Edi Ramës së Parë. Ajo bashkë me Elisa Spiropalin u vendosën njëra drejtoreshë e Tatimeve dhe tjetra e Doganave.
Shehaj u afrua në PS nga ish kryetari i kësaj partia për Tiranën, Saimir Tahiri dhe iku prej saj me rënien e tij nga pushteti.
Qëndrimi i Shehaj në krye të Tatimeve për tre vjet u shoqërua edhe me akuza nga opozita. Kujtojmë që Partia Demokratike në vitin 2015 ka bërë një denoncim publik ku ka përmendur të gjithë emrat e lidhur me Shehajn si punësime nepotike.
Njoftimi i PD-së më 2 mars 2015
NEPOTIZMI NE ADMINISTRATË, FAMILJARËT E DREJTORESHËS SË TATIMEVE ZNJ. BRISIDA SHEHAJ.
ERVIN SHEHAJ, vëllai i drejtoreshës së Tatimeve është Drejtor i Energjisë së Rinovueshme në AKBN;
XHIKO SHEHAJ, mamaja e drejtoreshës së Tatimeve, mban postin e specialistes së Shërbimeve në Ministrinë e Energjetikës. (Pozicioni korrigjohet nga drejtoresha Shehaj).
SHPRESA BELLO – Është kunata e drejtoreshës së Tatimeve, dhe mban postin e Drejtoreshës në Ministrinë e Shëndetësisë.
BESA BELLO – Kunata e vëllait, drejtoreshë në OSHEE (ka qenë në CEZ përpara se të vinte PS në pushtet).
VALDET BELLO – Kunati i vëllait, shef për Fierin dhe Vlorën në hetimin tatimor.
ANESTI TASHKO – Burri i Besa Bellos, përgjegjës në hetimin tatimor.
IBRAHIM SHEHAJ – Është babai i drejtoreshës së Tatimeve. Mban postin e specialistit të ruajtjes së objekteve në Bankën e Shqipërisë, madje, shumë i përfolur muajve të fundit se nuk u pyet nga organet e prokurorisë për vjedhjen e bankës. I përfolur më së shumti nga opozita. (Pozicioni korrigjohet nga drejtoresha Shehaj).
ZHANETA CANAJ – Tezja, drejtore te Posta.
ALBERT CANAJ – Bashkëshorti i burrit të tezes, doganier.
SHKËLQIM SHEHAJ – Kushëri, te drejtoria e Përgjithshme e Doganave (deri para një muaji).
PAJTIM BELLO – Vjehrri i vëllait i emëruar në disa borde (drejtoresha thotë se ai ka kohë që merret me politikë dhe karrierën nuk e ka nga zonja Shehaj).
DENIS SHEHAJ – Djali i xhaxhait, dogana Vlorë.
Lidhur sa më lartë mjafton të kuptosh se kujt i lihet lufta antikorrupsion. Nga zona që është zonja Shehaj kanë shprehjen “i varën ujkut mëlçitë në qafë”.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.