Vërtetohet 'spiuni' i qeverisë tek LSI, 3 deputetët e Metës votuan kundër shkarkimit të Ahmetajt

29 July 2022, 18:30Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vërtetohet 'spiuni' i qeverisë tek LSI, 3 deputetët e
Arben Ahmetaj dhe Ilir Meta

Vota në Kuvend e tre deputetëve të LSI-së për shkarkimin e Arben Ahmetajt nga postet që mbante në Qeveri përforcoi dyshimet e hedhura në disa shkrime të Voxnews.al se ‘Tigri’ kishte kohë që perceptohej brenda qeverisë e mazhorancës si një njeri më i afërt me Ilir Metën se sa me Edi Ramën.

Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho votuan kundër dekretit të shkarkimit, ndërsa deputeti i katërt i dalë nga LSI, Agron Çela nuk mori pjesë fare në votim.

Vota kundër e Kryemadhit është një tjetër mbrojtje ‘simbolike’ ndaj Ahmetajt, pas mbrojtjes publike që i ka dhënë vazhdimisht duke e përjashtuar nga përgjegjësia ligjore e penale për koncesionet e inceneratorëve, megjithëse siç edhe Voxnews.al ka denoncuar vazhdimisht ai është ideatori i këtyre koncesioneve dhe ndër firmëtarët e parë të tyre, përfshirë këtu firmën e hedhur për inceneratorin e Elbasanit.

Mbrojtja që Kryemadhi i bën Ahmetajt është aq qesharake e absurde, sa publikon shkresa të firmosura nga Arben Ahmetajt për inceneratorët, por akuzon Erion Veliajn. Në të njëjtën linjë me Kryemadhin, edhe Ilir Meta e ka marrë në mbrojtje ‘Tigrin’ duke e shndërruar në ‘kotele’ të tij.

“Arben Ahmetaj është shkarkuar prej kohësh sepse ai e kishte kuptuar që donte një qeveri te re, ilegjitime. Një pjesë e socialistëve e kuptojnë që situata është e rënduar, por nuk flasin se janë nën presion dhe janë në vende pune”, deklaroi Meta më 26 korrik.

Në mbrojtje e kanë marrë me radhë, madje edhe Petrit Vasili, që për shkarkimin e Ahmetaj akuzoi Ramën se po vepronte si në komunizëm.

Të gjitha këto qëndrime të LSI-së, shtuar këtu edhe votën në Kuvend konfirmojnë se Arben Ahmetaj ishte ‘spiuni’ brenda kabinetit që furnizoi Ilir Metën e Monika Kryemadhin me dokumentacionet për inceneratorët.

I vënë në dijeni për këtë, Edi Rama zgjodhi që Ahmetajn të shkarkojë në të njëjtën ditë që Ilir Meta largohej nga Presidenca, si për t’i përcjellë mesazhin simbolik se ‘për të janë që të dy njësoj; kundërshtarë politikë’.

Largimi nga të gjitha postet që mbante në qeveri me shumë mundësi është vetëm fillimi për Arben Ahmetajn. Hapi i radhës që mund të ndërmarrë Edi Rama është largimi i tij nga drejtuesi i Qarkut të Vlorës, me gjasa në shtator, ku pritet që të shkundër Qeverinë dhe partinë.

Shkak për këtë vendim të mundshëm, sipas burimeve të Voxnews.al, është përçarja e thellë në të cilën është përfshirë si dega e partisë, ashtu edhe grupi i deputetëve të këtij qarku, që kanë mospajtueshmëri me mënyrën e drejtimit të kësaj dege nga Arben Ahmetaj.

“Ka një përçarje të thellë me deputetë që nuk komunikojnë jo vetëm me partinë, por as me njëri-tjetrin dhe e gjitha për shkak të vendimeve të Arben Ahmetajt”, thonë burimet.

Ndërkohë, hapi final mund të jetë dorëzimi i tij në SPAK, ku Ahmetaj për akuzat që rëndojnë për procesin e rindërtimit dhe për firmën e hedhur për inceneratorët.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video