
Në një kohë që shumica e njerëzve në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor thjesht mund të paketojnë valixhen e tyre, të blejnë një biletë dhe të marrin pasaportën për të shkuar në destinacionin e zgjedhur të pushimeve verore, qytetarët e Kosovës nuk e kanë këtë privilegj.
Gati dy milionë njerëz që jetojnë në shtetin më të ri të Europës duhet të durojnë procesin rraskapitës, që kërkon kohë dhe kushton shtrenjtë, të aplikimit për vizë në BE dhe në zonën Shengen.
Pavarësisht premtimeve nga Brukseli, Kosova mbetet i vetmi vend në Europën kontinentale përveç Rusisë dhe Bjellorusisë jashtë regjimit pa viza të BE-së, i cili u lejon qytetarëve të vendeve jashtë bllokut të hyjnë në zonën Shengen për 90 ditë në një periudhë gjashtëmujore.
Kjo nuk ka të bëjë vetëm me pushimet – kosovarët që dëshirojnë të studiojnë, ose të marrin kujdes mjekësor në Europën Perëndimore mund të zbulojnë shpejt se kërkesat për vizat specifike që duhet të kenë janë përtej mundësive të tyre.
Procesi rraskapitës
Në një kodër mbi Prishtinë, një turmë u mblodh para një agjencie të ngarkuar me pranimin e aplikacioneve për ambasadat e Zvicrës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, duke përballuar diellin e mesditës mes një vale të nxehti.
Duke shfletuar dokumentet e tyre për herë të fundit për t'u siguruar që gjithçka ishte në rregull përpara se t'ua dorëzonin punonjësve me uniformë, disa ishin qartazi nervozë për rezultatin e aplikimeve të tyre.
Të tjerët që qëndronin në radhë nga vapa e fortë ishin të zëshëm në zemërimin e tyre.
“Fakti që të gjithë të tjerët në Europë thjesht mund të zgjohen dhe të blejnë një biletë për kudo pa u menduar dy herë për vizat, është jashtëzakonisht i padrejtë”, thotë për Euronews Shkëlzen Starabaja, 28 vjeç, i cili po krijon një biznes të vogël në Kosovë pasi ka punuar për ushtrinë amerikane në Irak dhe në kampin Bondsteel të udhëhequr nga ushtria amerikane afër Ferizajt.
“Është e padrejtë dhe është bërë një çështje shumë e politizuar dhe nuk ka asnjë shpresë që ne të bëjmë ndonjë përparim në këtë drejtim.”
“Këtu janë të gjitha llojet e paragjykimeve në lojë dhe përderisa Kosova ka shumë mbështetës ndërkombëtarë, ka shumë njerëz që e kanë idenë e gabuar se çfarë përfaqëson Kosova dhe njerëzit e saj,” tha Starabaja.
Udhëtimi pa viza, ende një ëndërr
Problemet e vizave kosovare janë po aq të vjetra sa edhe vetë vendi.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia gati një dekadë pas konfliktit të viteve 1998-1999 që çoi në një ndërhyrje të NATO-s kundër regjimit të Beogradit të Slobodan Millosheviçit.
Marrëveshja e Kumanovës siguroi tërheqjen e forcave të kontrolluara nga Beogradi dhe i lejoi OKB-së të krijonte një mision civil me NATO-n që ofronte siguri, duke e bërë Kosovën të vetmin protektorat të OKB-së në Europë.
Që atëherë, komuniteti ndërkombëtar i udhëhequr nga OKB-ja, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë investuar një sasi të paprecedentë financimi dhe përpjekjesh për të siguruar që vendi të bëhej shpejt një demokraci e plotë.
Në vitin 2007, Brukseli themeloi misionin e tij më të madh civil në një shtet joanëtar, Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit ose EULEX, për të ndihmuar gjyqësorin vendas dhe për të ofruar mbështetje për forcën policore.
Megjithatë, që nga deklarata e Pavarësisë e vitit 2008, Serbia është përpjekur në mënyrë aktive të parandalojë që Kosova të bëhet një anëtare e plotë e organizatave ndërkombëtare si OKB-ja dhe Interpoli.
Përveç kësaj, Serbia ka udhëhequr një fushatë ndërkombëtare të çnjohjes në një përpjekje për t'i mohuar Kosovës statusin e saj, me regjimin e liberalizimit të vizave gjithashtu të prekur nga mosmarrëveshja.
Të gjitha vendet e tjera në rajon kanë negociuar me sukses regjimin e liberalizimit të vizave midis 2009 dhe 2010.
“Megjithatë, për Kosovën, e drejta për të udhëtuar në BE dhe në zonën Shengen mbeti një karrotë që Brukseli vazhdon ta tundë përpara hundës së qeverisë së Prishtinës, tha për Euroneës analistja e shoqërisë civile Donika Emini.
“Çështja e vizave është një burim i frustrimit të jashtëzakonshëm,” tha Emini.
“Shikoni vendet e rajonit – të gjitha ato performojnë njësoj si Kosova për sa i përket sundimit të ligjit dhe parametrave të tjerë. Megjithatë qytetarët e tyre kanë harruar se si është të aplikosh për vizë”.
Vendit iu premtua privilegji i lakmuar disa herë që nga viti 2008 – më së shumti në vitin 2014, pas zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje kufitare me Malin e Zi.
Më herët në qershor, Këshilli i BE-së u tha se po shqyrtonte heqjen e pengesës ndërsa vendet perëndimore përpiqeshin të rrisnin ndikimin e tyre në rajon, nga frika se Rusia mund të shfrytëzonte vakumin në mes të luftës së saj në Ukrainë.
Megjithatë, liberalizimi i vizave – i dhënë vendeve më të reja kandidate, Moldavisë dhe Ukrainës, respektivisht në vitin 2014 dhe 2017 – mbeti edhe një herë një ëndërr për kosovarët.
“Edhe unë duhet të aplikoj për viza rregullisht, si dikush që ka një rezidencë në MB, që ka jetuar në BE për më shumë se pesë vjet si në Gjermani ashtu edhe në Francë – dhe sa herë që ndjej frikën se mos më refuzojnë,” shpjegoi Emini.
“Është bërë një çështje kaq e madhe në Kosovë, saqë njerëzit në mënyrë aktive kanë frikë se nuk do t'u jepet e drejta e lirisë së lëvizjes”, shton ajo.