Heshtja s’e mbulon dot përgjegjësinë e Belinda Ballukut për tragjedinë e Himarës

3 August 2022, 20:30Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Heshtja s’e mbulon dot përgjegjësinë e Belinda Ballukut
Belinda Balluku

Ka një sërë pyetjesh që kanë mbetur ende pa një përgjigje zyrtare nga ana e autoriteteve për tragjedinë e Himarës, ku humbi jetën një 7-vjeçare nga çmenduria e një ish-komisari policie.

Pyetjet lidhen me pronësinë e skafit që drejtonte ai dhe lejen e drejtimit. A ka leje drejtimi mjetesh lundruese ujore motorike? Nëse po, kur e mori dhe kush ja dha? Cilat janë kriteret për marrjen e këtyre lejeve? Kush i lëshon dhe cilat janë kriteret për pajisjen me këto leje?

Përgjigjet për këto mund t’i nxjerrin në ditët në vijim hetimet e nisura nga policia dhe prokuroria. Por, paraprakisht ligji përcakton se lejet e drejtimit të mjeteve motorike ujore lëshohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Transportit.

Për pajisjen me këto leje nevojitet një periudhë relativisht e gjatë kohore trajnimi dhe testesh që lidhen direkt me Ministrisë e Infrastrukturës dhe Transporteve, që drejtohet nga Belinda Balluku.

Kjo ministri ka heshtur për rastin në fjalë. Ka heshtur edhe për regjistrimin e mjetit, po aq sa ka heshtur edhe vetë Belinda Balluku, që sipas ligjit numër 127 të vitit 2020 është në krye të ministrisë ku bie drejtpërdrejt përgjegjësia për këto leje.

Në nenin 4 të këtij ligji përcaktohet qartë se mjetet e transportit detar për përdorim turistik dhe argëtimi ujor, si skafi që drejtonte Arjan Tase, pajisen me leje qarkullimi dhe drejtuesit e tyre me leje drejtimi nga ministria përgjegjëse e transportit.

Por, në këtë rast përgjegjësia e Ballukut është e dyfishtë pas emërimit si zëvendëskryeministre. Roli i zëvendëskryeministres praktikisht i ka dhënë në dorë frenat e qeverisjes së vendit, nëse do të nisemi nga akuzat e opozitës, që në të shkuarën i ka kërkuar llogari Edi Ramës për mospjesëmarrje rekord në mbledhje qeveria duke ja kaluar ato zëvendësave të tij.

Pavarësisht kësaj, Belinda Balluku ka heshtur për tragjedinë në fjalë, qoftë për përgjegjësinë morale si drejtuese e Ministrisë së Infrastrukturës, qoftë për përgjegjësinë morale si zëvendëskryeministre.

Nëse në një pjesë e ministrave të tjerë, të deputetëve dhe të drejtuesve kryesorë të mazhorancës gjen postime solidarizimi me familjen 7-vjeçares që humbi jetën në Himarë, te profilet e Ballukut gjen vetëm ‘sukseset imagjinare’ të saj në krye të ministrisë, siç ishte organizimi i një eventi me shumë bujë e pompozitet për t’u thënë qytetarëve se në sa segmente ndahet aksi Milot-Fier, por pa thënë sa kushton, kush do të paguajë, kur nis puna, apo kur mbyllet ajo.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video