
Edi Rama ka akuzuar Ilir Metën se në pesë vite në krye të Presidencës ka zhvlerësuar totalisht dekoratat dhe medaljet që ka shpërndarë në masë dhe pa asnjë kufizim.
“Si prisni që Ilir Meta të përgjigjet për 21 janarin? E vetmja gjë që mund të bëjë tjetër përvecse të shpërndajë dekorata, dekorata pa asnjë vlerë, kuptim e përmbajtje që janë një tallje e madhe me ata njerëz që për fat të keq shkojnë akoma e marrin dekoratat e Ilir Metës që janë bosh në kuptim përmbajtje e vlerë”, deklaronte Edi Rama në 21 janar të këtij viti.
Megjithatë, për të shmangur që në të ardhmen të ketë abuzime, sipas socialistëve, me dekoratat ata kanë gati një projektligj që kufizon numrin e shpërndarjes së tyre. Në total, projektligji propozon që brenda vitit nuk mund të jepen më shumë se 254 dekorata, nga të cilat Presidenti pa propozim mund të miratojë vetëm 10 për qind, pra vetëm 25 dekorata në vit.
Nëse do të miratohet, ligji do t’i shërbejë së pari Presidentit të ri, Bajram Begaj.
Ndërkohë, socialistët përpos ligjit organik për kreun e shtetit kanë deklaruar se do të depozitojnë edhe një projektligj që do të rregullojë funksionet dhe kompetencat e Presidentit.
Aktualisht, Presidenti nuk ka një ligj të posaçëm për ushtrimin e veprimtarisë, por mbështetet te Kushtetuta. Pikërisht Kushtetuta ka qenë molla e sherrit mes PS e Metës në këto pesë vite me akuza të ndërsjella për shkelje të saj.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.