Publikimi i dëshmive të të penduarve të drejtësisë, Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumanit ka shkaktuar probleme. SPAK ka dalë me një urdhër për mediat; të mos nxjerrin asgjë më, në lidhje me këtë aksion dhe hetimet që po zhvillohen.
Urdhëri është firmosur nga të tre hetuesit e çështjes, të cilët gjithashtu kërkojnë që të ruhet sekreti, pasi çështjet e përmendura janë të gjitha nën hetim. E ekspozimi i të dhënave mund të shkaktojë dështimin e aksioneve dhe hetimeve të SPAK për të zbardhur të vërtetën. Lajmin e ka bërë të ditur gazetari Elton Qyno i cili me anë të një postimi shkruan se: Pas 5 ditësh publikime nga story i Nuredin Dumanit me fakte dhe me prova,sot SPAK dhe BKH vendosën të më detyrojnë të mbyll gojën,duke mos më lejuar te flas qofte dhe pjesërisht.
Postimi i Elton Qynos:
Pas 5 ditesh publikime nga story i Nuredin Dumanit me fakte dhe me prova,sot SPAK dhe BKH vendosen te me detyrojne te mbyll gojen,duke mos me lejuar te flas qofte dhe pjeserisht.
Deshmine e Dumanit nuk e solla une ne publik por ate e gjeta aty mes SPAK-ut,qe e nxori vete.
Ora News dhe une, ndjese publikut per mos vijim te fakteve te tjera dhe emrave te tjere,perfshire dhe kryetar komune, qe nga SPAK, ende nuk jane vleresuar dhe arrestuar ne dobi te ketij procedimi penal.
Urdheri eshte ne kundershtim me vendimin e Gjykates se Strasburgut qe shprehet qartesisht per lirine e medias dhe rendesine e raportimit te medias ne dobi te transparences.
Neni 103/1 i Kodit te Procedures Penale eshte njesoj me nenin 55 agjitacion e propogande,ku ishte vendosur diktatura e proletariatit.
Dereformimi i sistemit te Drejtesise beri qe te arrinim ne kete dite. Pertej kesaj situate, ku media duhet te jete nen urdherat e prokurorise, ne fakt deshmine e Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, e ka nxjere dora vete, shejtani ne bark Talo Çela.
Qe siç e quan veten se eshte pabuksi i Bradasheshit, por çuditerisht nuk kapet as nga SPAK dhe as nga RENEA. Nga kjo dite jemi te detyruar te mos jap dhe publikojme informacione.Nuk e di se sa do zgjasi kjo situate,por fale deformes ne Drejtesi,kjo situate mund te zgjasi edhe 20 vjet.
Elton Qyno është gazetari i dytë i kronikës që reagon ashpër ndaj SPAK, Artan Hoxha disa ditë më parë deklaroi në emisionin “Opinion” se në një nga dëshmitë e tij Nuredin Dumani ka thënë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka.
Hoxha thotë se në dëshminë e tij thuhet se Dumanit i kishte thënë një person i përfshirë në vrasje se Meta ka porositur vrasjen e Aleksandër Ndokës në vitin 2017. SPAK e ka mohuar totalisht si të pa vërtetë thënien e tij, duke i bërë thirrje mediave të kenë kujdes.
Njoftimi i SPAK:
“Në vijim të interesimit të shtuar të mediave, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se: Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.
Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit)”.
Por çfarë ka ndodhur me Dumanin dhe Hoxhajn?
Të dy me informacionet që kanë dhënë kanë zbërdhyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Për këtë operacion të SPAK, u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 janë ende në kërkim, e derimë tani asnjë nuk është kapur. Mendohet se të paktën 12 ngjarje kriminale, vrasje dhe atentate të parealizuara janë zbardhur nga dëshmia e tij para prokurorëve të SPAK.
Ndërsa së fundmi, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, ne Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Krimet më të shumta Nuredin Dumani ka rrëfyer se i ka bërë me Talo Çelën, por edhe me Hoxhajn, i cili u arrestua në të njëjtën natë më të. Por për shumë ngjarje bën fajtor Talo Çelën, me të cilin u zu për një makinë të marrë për kryerjen e një vrasje, e për hakmarrje Dumani pranoi se i kishte vrarë të vëllanë, Bujar Çelën. Megjithatë zanafilla e shumicës prej ngjarjeve kriminale në vend, vjen pas grabitjes në aeroportin e Rinasit, për ndarjen e 4.3 milionë euro.