Qytetarët ankohen se e kanë të vështirë që të përdorin e-Albanian, sidomos brezi i moshuar që i duket një proces kompleks dhe që në pjesën më të madhe të rasteve po u drejtohen kancelarive dhe qendrave të internetit për të marrë shërbimet online.
Por, problem me përdorimin e e-Albanias nuk kanë vetëm qytetarët. Edhe vetë Qeveria e ka të vështira që ta përdorë dhe për ta mësuar ka bërë kurs. Nuk e dimë nëse edhe Edi Rama e ka bërë një kurs të tillë apo jo, por zëvendësi i tij në kabinet, Arben Ahmetaj e pranoi publikisht.
“U detyrova që të bëja një minikurs për të përdorur me lehtësi e-Albania. E kam bërë kursin për të kuptuar se çfarë ofron. Do t’ju kërkoja të mos jeni siç jeni zakonisht pak konservatorë, e di shumë mirë që jeni në diskutime AKSHI për sa i përket përdorimit të platformës”, tha Ahmetaj gjatë një tryeze të organizuar nga Shoqata e Bankave.
Megjithëse vetë bëri kurs për ta përdorur, zv.Kryeministri thotë se bankat, institucionet financiare dhe qytetarët do të ndjejnë lehtësitë e e-Albanias.
“Konseguenca e parë do të jetë lehtësia në transaksione. E dyta për jetën e qytetarëve. Ju vetë do të keni një platformë fantastike për analizat e riskut”, vijoi ai.
Pas kësaj, zv.Kryeministri hyri të fusha që ka më shumë përzemër, financat. “Duhet ta ndiqni qeverinë në dixhitalizim, tha Ahmetaj, nëse ju thoni se keni investuar 75 mln euro në dixhitalizim, e dini se sa ka investuar qeveria, s’ua them se do ju vijë zor. Disa herë më shumë ka investuar Qeveria.
“Qeveria ka një milion halle më shumë. 75 mln si bie as 17 mln në vit. Qeveria ka bërë hapa të pakrahasuara në dekada”,
Sipas Ahmetajt, sistemi bankar është shumë mbrapa sa i takon dixhitalizimit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.