Ilir Meta nuk e shmangu dot më komentin mbi zhvillimet e reja në dosjen e inceneratorit të Elbasanit, ku sipas kallëzimeve të denoncuara në SPAK dhe dokumenteve të bëra publike, ish-ministri i Financave ka përfituar pagesa të drejtpërdrejta nga Klodian Zoto dhe për më tepër nuk i ka deklaruar ato, ashtu siç ja kërkon ligji.
Por, edhe pse provat kundër Ahmetajt janë aq bindëse, sa për to edhe vetë ish-ministri ka zgjedhur heshtjen, kryetari i Partisë së Lirisë sërish shmangu një përgjigje të drejtpërdrejt, duke u sorollatur me fjalë e fjali parazite me një qëllim të vetëm; mbrojtjen e Arben Ahmetajt.
Si fillim, pyetjes së gazetares në intervistën e dhënë për radiotelevizionin publik shqiptar, Ilir Meta iu përgjigj po me pyetje. “Paska dalë një problem për zotin Ahmetaj?”, tha ai. Qëllimi i kësaj fjalie në vetvete nuk do të thotë se Ilir Meta s’është në dijeni të kësaj ‘problematike’, siç e quan ai, sepse ka 10 ditë që flitet për këtë çështje.
Qëllimi është një tjetër. Qëllimi i vërtetë është relativizimi i provave e fakteve që kanë dalë në shesh, ku Arben Ahmetaj përfshihet me të dyja këmbët në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.
Pas kësaj, Meta me gjysmë zëri kërkon që edhe Ahmetaj të hetohet për këtë çështje, por duke e klasifikuar atë si ‘cironkë’ të dosjes dhe refuzuar të pranojë se Arben Ahmetaj në të vërtetë ishte kokë e skemës.
Meta thotë se duhet vënë gishti në plagë dhe gishti në plagë, sipas tij, është Edi Rama. Më tej përpjekja hipokrite për të mbrojtur Arben Ahmetajn shtjellohet në fjalinë kur që thotë: ‘Por që ne të mos shohim apo të mos vëmë gishtin në plagë…dhe të shohim ato që lëshon Edi Rama me ata të vetët jo fjeti ky këtu, jo fjeti ai atje”.
Qëllimi është të zhvlerësojë provat që kanë dalë ndaj ish-ministrit të Financave, duke u përpjekur që të trajtojë faturat e fjetjeve të tij në suitat e hoteleve luksoze europiane me pagesat e bëra nga Klodian Zoto si çështje periferike të dosjes, madje edhe personale.
E gjithë përpjekja e Ilir Metës për të mbrojtur Arben Ahmetajn në këtë intervistë shkërmoqet po nga vetë Ilir Meta dhe për më tepër në të njëjtën intervistë të dhënë për RTSh. Në përpjekje për të shfajësuar Arben Ahmetajn, ai tregon një rast nga mbledhjet e qeverisë, gjatë kohës kur ishte pjesë e koalicionit me Edi Ramën.
Rasti ishte i thjeshtë dhe lidhej me një episod, ku Meta tregonte se si vendimet e Qeverisë nuk kalonin nëse nuk miratoheshin nga ministri i Financave dhe ai i Drejtësisë. Kjo do të thotë, se për inceneratorët, Ahmetaj ka dhënë miratimin si ministër Ekonomie dhe si ministër Financash.
Por, pse investohet kaq shumë Ilir Meta që ta mbrojë? Arsyeja duket se është vetëm një; pakti i fshehtë që kanë bashkë, ku Ahmetaj i dha një dosje, që më pas u amplifikua nga LSI me akuza ‘të një grupi të strukturuar kriminal’ e korrupsioni në vlera stratosferike që përsëriteshin deklaratë pas deklarate, e studio më studio.
U përmenden publikisht nga Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta me dhjetra e dhjetra emra, nga shoferë, deri te inxhinierë e pensionistë, si pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal, që gjoja po i bënte gjëmën buxhetit të shtetit shqiptar. Deklaratat ishin thuajse identike për muaj me radhë dhe i vetmi që nuk përmendej ishte emri i Arben Ahmetajt.
Dosja në të vërtetë, edhe nëse do të merren të mirëqëna akuzat e ngritura zyrtarisht nga SPAK, të provuara ka vetëm evazionin fiskal. Pjesa e korrupsionit mbetet një hamendësim, pasi të paktën në rastin e inceneratorit të Elbasanit, është provuar se kompania Albtech ka qarkulluar fatura fiktive me kompani të tjera, por ka përfituar sërish paratë në llogaritë e saj.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.