Kërcënimi bërthamor, a po loz blofin Vladimir Putin?

28 February 2022, 21:20Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kërcënimi bërthamor, a po loz blofin Vladimir Putin?

Të dielën, Vladimir Putin urdhëroi krahun e ushtrisë që menaxhon arsenalin bërthamor të vendit që të ngrihen në një nivel special gatishmërie. Por, çfarë do të thotë kjo? Për analistët perëndimorë nuk është krejtësisht e qartë. Zyrtarët britanikë thonë se gjuha e përdorur nga Putin nuk përputhet me termat dhe nivelet e alarmit për armët bërthamore ruse.

Disa besojnë se Putin urdhëroi lëvizjen nga niveli më i ulët i gatishmërisë, “konstanti”, te niveli tjetër “i vigjilencës”, pas të cilit mbërrin niveli “gatishmëri e plotë”. Por, edhe kjo ide nuk është e sigurtë.

Shumë e kanë interpretuar deklaratën e Putinit më shumë si një sinjal publik, se sa sinjal që tregon se ai ka ndërmend realisht që të përdorë këto armë, të cilat Presidenti rus mund ta dijë më mirë se kushdo që mund të sjellin po hakmarrje nukleare nga Perëndimi. Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se besonte se deklarata e Putinit ishte më shumë retorikë.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka rrezik dhe situata duhet monitoruar me kujdes.

Çfarë do të thotë paralajmërimi i ri?

Kur nisi sulmet mbi Ukrainë, Putin paralajmëroi të gjitha vendet e tjera që do të ndërhynin për të penguar planet e tij se do të përballeshin me pasoja që nuk i kishin provuar asnjëherë në historinë e tyre. Kjo u interpretua si paralajmërim për NATO-n që të mos përfshihej drejtpërdrejt ushtarakisht në Ukrainë.

NATO e ka qartësuar në më shumë se një rast se nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, duke e ditur se kjo do të nxiste një luftë të drejtpërdrejt me Rusinë, që mund të përshkallëzohej më pas në një luftë bërthamore.

Por, Perëndimi dhe NATO kanë shtuar fluksin e armëve për ukrainasit, që sidomos me armët antitank perëndimore po u shkaktojnë dëme të mëdha rusëve. Këtë ndihmë, Putin mund të interpretojë si ndërhyrje të Perëndimi, ndaj ede paralajmërimi i së dielës ishte edhe më direkt, edhe më publik.

Pse?

Putin tha se lëvizja për të ngritur nivelin e gatishmërisë për armët bërthamore ishte si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Perëndimit. Të hënën, Kremlini tha se Putin u referohej deklaratave të Sekretares së Jashtme britanike, Lizz Truss, që ishte shprehur për mundësinë e përplasjes ushtarake mes Rusisë dhe NATO-s. Por, analistët besojnë se paralajmërimi mund të lidhet më shumë me llogaritë e bëra gabim prej Presidentit rus në Ukrainë.

Ai mund të ketë nënvlerësuar rezistencën që do të haste në Ukrainë, si dhe unitetin e Perëndimit për t’i vendosur sanksione. Këto dyja e shtynë drejt gjetjes së rrugëdaljeve të tjera, me një gjuhë më të ashpër.

“Kjo gjuhë është shenjë zemërimi, frustrimi dhe zhgënjimi”, thotë një gjeneral britanik i dalë në pension.

Ambasadorja e SHBA në OKB, Linda Thomas sugjeroi se gjuha e Putinit është një përpjekje e dështuar për të justifikuar luftën në Ukrainë, duke e paraqitur veten si viktimë në këtë konflikt dhe jo agresor.

E parë në këtë këndvështrim, gatishmëria nukleare është një mjet për të tërhequr pas vetes popullin rus. Këndvështrimi tjetër për këtë deklaratë është ai se Putin mund të jetë shqetësuar nga ndihma ushtarak e Perëndimit për Ukrainën dhe po i paralajmëron që të mos e bëjnë këtë.

Interpretimi tjetër lidhet me sanksionet, të cilat Alexander Lukashenko, vasali i Putin në Bjellorusi i cilësoi si më të këqia se lufta dhe që mund ta shtyjnë Putin drejt opsionit nuklear. Në fakt, efekti i sanksioneve të ashpra ka hyrë në fuqi. Ekonomia ruse u zgjua e shkundur të hënën dhe rubla vendase humbi 30 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit.

Putin i trembet se goditja e ekonomisë nga sanksionet mund të shtojë pakënaqësinë ndaj tij dhe të ngrejë rusët në protesta që mund t’i rrezikojnë karrigen.

Cilat janë rreziqet?

Edhe nëse kërcënimi i Putinit është një paralajmërim dhe jo një sinjal dëshire për të përdorur armët bërthamore, ekziston rreziku i llogarive të gabuaara, nëse njëra palë keqinterpreton deklaratat dhe lëvizjet e palës tjetër.

Njëri shqetësim është se Putin është izoluar me një grusht këshilltarësh të paktë që janë të gatshëm t’i thonë të vërtetën. Disa dyshojnë se gjykimi dhe arsyetimi i tij po bëhet erratik. Disa shpresojnë që nëse Putin shkon kaq larg, sa të përdorë bombën bërthamore, të tjerë në zinxhirin e komandës nuk do të ndjekin. Pra, rreziku i një konflikti bërthamor mund të jetë shtuar pak, por sërish mbetet i ulët.

Si po përgjigjet Perëndimi?

Qeveritë perëndimore janë treguar të kujdesshme për të mos e përshkallëzuar më tej retorikën. Ushtria amerikane ka sistemin e vet të mbrojtjes nga armët bërthamore të quajtur Defcon dhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, jen Psaki tha se “nuk kishte arsye pse të ndryshonte ky nivel për momentin”.

Britania e Madhe ka disa nëndetëse me mbushje bërthamore në det, por nuk ka reaguar fare në lidhje me këtë deklaratë të Putinit. Ideja është që të trajtohet deklarata si një blof dhe të mos nxiten më tej tensionet, duke e marrë shumë seriozisht atë.

“Kjo nuk është një krizë bërthamore dhe nuk duhet të shndërrohet kurrë në një të tillë”, thonë zyrtarët perëndimorë.

A mund t’i paraprijë Perëndimi?

Londra thotë se deri më tani nuk ka vënë re asnjë lëvizje të dyshimtë të armëve bërthamore ruse, por situata do të monitorohet me kujdes nga shërbimet inteligjente.

Gjatë Luftës së Ftohtë, një makineri gjigante u ngrit nga Perëndimi për të vëzhguar e mbikëqyrur arsenalin bërthamor të Moskës. Satelitet inteceptonin komunikimit dhe të tjera burime për të analizuar çdo shenjë, apo sjellje që mund të përgatiste këto armë për veprim.

Shumë prej këtij mekanizmi është ende aktiv dhe me këto deklarata të Putinit, Rusia do të jetë sërish nën vëzhgimin e rreptë dhe deri më tani nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se deklarata e Putinit po zbatohet në terren.

Burimi BBC. Përktheu Voxnews.al


Video