Gaz Paja, si iu afrua ‘strategjikisht’ Partisë Socialiste

23 March 2022, 22:23Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gaz Paja, si iu afrua ‘strategjikisht’ Partisë Socialiste
Kryeministri Edi Rama dhe aktori Gaz Paja gjatë një mitingu të PS

Si i biri i një aktori të madh të kinemasë e teatrit shqiptar, në rastin e tij dardha ka rënë nën dardhë, prandaj askush nuk mund ta mohojë talentin dhe dhuntinë e Gaz Pajës në aktrim. Ai përshtatet natyralisht në skeçe të shkurtra, komedi, por e ka testuar veten dhe kaluar me sukses këtë test edhe në drama.

Famën e mori nga Portokalli, ku për mbi 15 vite me radhë shfaqet çdo të dielë me rolet që kanë mbetur në memorien e shikuesve, ndërsa nga një pjesë e bashkëpunëtorëve të vet ndër vite në këtë spektakël akuzohet si arrogant.

Me banim në Kodrën e Diellit në Tiranë, krahas karrierës si artistit, Gaz Paja u përfshi edhe në biznes, duke hapur vite më parë një lokal në Dhërmi, ku kalon çdo verë me pushime. Këtu siç duket i ka lindur ideja për ta zgjeruar biznesin e vet, nga një lokal në një hotel e resort turistik me 5 yje dhe vila luksoze për shitje.

Për këtë projekt i duhej statusi i investitorit strategjik dhe këtë, si shumë të tjerë e kuptoi se nuk mund ta siguronte pa përfshirjen në politikë. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se përse u afrua me Partinë Socialiste, që në 2017-n kur u shfaq në fushatë përkrah Edi Ramës e bënte batuta edhe me Pandeli Majkon.

Në 2019-n u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe u angazhua sërish në fushatën e 25 prillit për socialistët.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video