Çfarë nuk po na tregon Ministria e Bujqësisë për situatën nga gripi i shpendëve?

20 March 2022, 20:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Çfarë nuk po na tregon Ministria e Bujqësisë për

Ministria e Bujqësisë zyrtarizoi këtë të diel se ka zbuluar deri më tani vetëm një rast me gripin e shpendëve në vendin tonë.

Kjo është deklarata dhe qëndrimi zyrtar, por janë disa faktorë që sugjerojnë se situata është shumë më alarmante se kaq.

Së pari, deklarata e Ministrisë së Bujqësisë, që këshillon qytetarët që mishin dhe vezët e pulave të mos i konsumojnë pa i zier më parë me 70 gradë. Kjo do të thotë se rrjeta parandaluese e daljes në treg të pulave dhe vezëve të infektuara me virusin e gripit të shpendëve është çarë dhe ato mund të jenë duke u shitur nëpër markete e dyqane, madje edhe konsumuar prej qytetarëve.

Së dyti janë dy urdhra në seri të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë. Urdhri i parë ngre një qendër kombëtare për menaxhimin e krizës. Kjo qendër, sipas urdhrit do të menaxhojë situatën e krijuar në pularitë e vendit.

Vetë investimi i Ministrisë së Bujqësisë në ngritjen e kësaj qendre nënkupton se nuk bëhet fjalë për një rast të vetëm dhe as të izoluar me gripin e shpendëve në Shqipëri.

Së treti janë raportimet në disa media për humbjet në pulari, në shifra që shkojnë mbi gjysmë milioni pula të ngordhura në vetëm pak javë. Shifra nuk konfirmohet zyrtarisht nga Ministria e Bujqësisë, por jozyrtarisht konfirmohet nga tregu, ku çmimi i vezëve është rritur me 30 deri në 50 për qind.

Rritja nuk mund të argumentohet vetëm me rritjen e përgjithshme të çmimeve në vend, sepse pularitë kanë hyrë në pikun e prodhimit të vezëve dhe në vitet e kaluara, çmimi i një kokrre veze në këtë periudhë zbriste deri në 14 lek, ndërsa aktualisht janë deri në 10 lek më shtrenjtë.

Të gjithë këta faktorë sugjerojnë se Ministria e Bujqësisë ose nuk po tregohet e sinqertë me shifrat që raporton, ose nuk ka asnjë shifër, apo vlerësim të saktë të situatës në terren, por vetëm një perceptim dhe me vendimin për të ngritur qendër ndërkombëtare krize nënkupton se situata është vërtet alarmante.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video