Dilemat e dorëheqjes së Bashës, u largua apo u vetëngri sërish?

21 March 2022, 18:15Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dilemat e dorëheqjes së Bashës, u largua apo u vetëngri

Me një fjalim as mish dhe as peshk, Lulzim Basha njoftoi me gjysmë zëri dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, një vendim që tha se po e merrte me bindjen se do t’i shërbente bashkimit të demokratëve dhe ringritjes së partisë.

Por, më shumë se një zgjedhje me vullnet të lirë dhe bindje e brendshme se ka ardhur koha për t’u larguar, largimi i Lulzim Bashës nga karrigia që e mban herë si i ngrirë, herë si i shkrirë është dëbim.

Fati i tij u vendos më 6 mars, kur pas dështimit të përpjekjeve për të mos e cilësuar si test për të rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme vendore e nxorri vulën dhe siglën e PD-së forcë të tretë. Megjithatë, Bashës iu deshën dy javë kohë që të mendonte dorëheqjen.

Duke njohur gjithë piruetat e rekordet politike të Lulzim Bashës si kryetar i opozitës, kur u është shmangur përgjegjësive të humbjes, madje duke i quajtur ato edhe fitore, kjo kohë më shumë se për reflektim mund të jetë përdorur në rastin më të mirë për të shmangur dorëheqjen dhe në rastin më të keq për të gjetur një rrugëdalje dinjitoze.

Vetë fjalimi i dorëheqjes i Bashës lë shumë pikëpyetje, paqartësi e amulli dhe kontradikta nga ato që kreu i dorëhequr me deklaratë tashmë ka dhënë plotë përgjatë këtyre javëve, kur fliste se ishte i gatshëm ‘për çdo vendimmarrje’.

Së pari, Basha nga njëra anë njofton dorëheqjen dhe nga ana tjetër thotë se do të jetë zëri i demokratëve. Se si mund të jetë zëri i demokratëve njeriu që shumica derrmuese e tyre nuk e pranuan më 6 mars, vetëm Lulzim Basha mund ta dijë.

Së dyti, dorëheqja nga të tilla poste është institucion dhe si e tillë ka një format standard e zyrtar, ku aktit i paraprihet marrja e përgjegjësive nëse kjo dorëheqje mbërrin për mosrealizim të objektivave. Basha e shmangu këtë pjesë, ndoshta ashtu siç ka bërë prej 2013-s, kur e mori këtë detyrë.

Së treti, fjalimi i dorëheqjes lë shtigje rikthimi, forma dhe mënyra e të cilit mbetet për t’u mësuar në ditët në vijim. Ndoshta Lulzim Basha do të rikandidojë për postin e kryetarit të partisë, ndoshta edhe përballë Berishës. Këtu mund të bëjë një sforco për ta fituar garën, ndoshta edhe me metodat e përdorura gjatë dy garave të së shkuarës. Por, dallimi këtë herë është se nuk ka përballë Eduard Selamin dhe Agron Shehajn, por Sali Berishën i cili prej shtatorit ja shkundi bazën nën këmbë.

Këto përforcohen nga paralelizmat me fjalimin pas humbjes së 2017-s, kur PD mori rezultatin më të ulët historik. Përballë kërkesave për dorëheqje dhe hapjen e garës për kryetar të partisë, Basha shpiku në atë kohë ‘vetëngrirjen’. Ai tha se i kishte ngrirë vetes të gjitha funksionet që i jepte posti si kryetar dhe pretendonte se me këtë vendim po hynte si i barabartë me Eduard Selamin në garë. E gjitha kjo u bë me bekimin në heshtje të Sali Berishës.

Por, nëse në 2017-n dhe në 2021 me Berishën në krah parashikohej lehtësisht e ardhmja e Lulzim Bashës, dorëheqja me gjysmë zëri e tij këtë të hënë e bën edhe më të paparashikueshme situatën në PD, frenat e së cilës duket se do rikthehen me gjasa përmes një pazari nën rrogoz, te ai që ja mbajti me hir dhe pahir për më shumë se dy dekada.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video